S’kanë të ndalur vijat bolshevike të “politikës së re” të Partisë Socialiste. Tani ka ardhur koha për vullnetarizmin, një teori që të kujton kamikazët islamikë, por para së gjithash, vullnetarët e Enverit, falangat e lejfenistëve të ’70-s, por edhe organizatat gjakatare të fillimit të ’90-s

Mund të merret si imitim prej jashtë Shqipërisë, por nuk është i tillë. Nuk ka asnjë lidhje me shembuj të tillë jashtë vendit. Është brenda tij dhe për vende që kanë kaluar stalinizmin, sikurse është edhe Shqipëria. Kjo “ide” nëse mund të quhet e tillë ka lindur në Pezë, një ditë dimri kur kreu i Partisë Socialiste (ish-Partia e Punës), po ngrohej në zjarrin bubulak të oxhakut të Babës, kur iu kujtuan aksionet e dikurshme përshpirtërore në emër të Enver Hoxhës. Asokohe në tetorë të lavdishëm, nëntorë të kuq, apo muaj fushatash për këshillat popullore, Kuvendin Popullor, zgjedhjet në parti, etj, Partia e Punës shpallte “javën e Enverit”, “ditën e Enverit”, “muajin e Enverit”, etj. Sikur të mos mjaftonte kjo, punëtorit të gjorë, kooperativistit të palodhur, etj i hiqej edhe dita e diel apo koha e lirë pas orës 15.00 dhe i nënshtrohej angarisë për llogari të shpirtit të Enverit që nuk i linte rehat njerëzit edhe pas vdekjes së tij. Mirë atëherë, po tani si do veprohet? Kjo ishte për pjesën e kohës së detyruar. Në fakt vullnetarët të vërtetë të Enverit ishin ato të shkurt marsit 1991, kur si fanatikë të vërtetë të ideve të mbrapshta u shfaqën nëpër rrugët e Shqipërisë duke u vënë emrin e Enver Hoxhës shesheve kryesore të vendit, apo duke tërhequr zvarrë demokratët nëpër lokalitete të ndryshme të vendit. Në këtë pikë, Edi Rama po konkurron Milloshin e vitit 1991, pavarësisht se kohët kanë ndryshuar.
Tani kjo punë është e thjeshtë dhe e qëruar. Për nostalgjikët që kanë shtrënguar radhët pas partisë së Ramës, mjafton vetëm fjala “vullnetarë” për ngjallur emocionet e vjetra të kohës së kuqe, kur quhej fat i madh nëse kishe një biçikletë apo mund të blije pas disa vjetësh kursim (me autorizimi ndërmarrje) një televizor vendi demode.
Është e qartë se lëvizja e “vullnetarëve” të Ramës nuk ka asnjë efekt tjetër veçse atij mediatik, një lustër mashtruese në vijim të bordeve e OJQ-ve të paqena që mbarojnë çastin kur mbaron kronika televizive. Të ashtuquajturit “vullnetarë” sot nuk janë veçse bijtë e sekretarëve të parë të rretheve, bijtë e prokurorëve, hetuesve, gjykatësve, e kriminelëve të atij regjimi, të cilëve ky “vullnetarizëm” u jepet në shkëmbim të pushtetit të ardhshëm, si mjeti më i mirë për motivimin e tyre. Por shiheni “vullnetarizmin” sesi do zhvillohet e nga kush do zhvillohet para e pas zgjedhjeve kur në shihet se e majta është humbëse.

...