Këmbët e ushtarit 31-vjeçar, David Mayers, kanë mbetur në një rrugë të Bagdadit, në mars të vitit 2008, kur një bombë hodhi në erë mjetin e blinduar me të cilën ai po udhëtonte. Sot, nga pantallonat e shkurtra i duken qartë dy protezat e errëta dhe atletet e bardha, të cilat mban veshur. "M‘u desh të mësoja gjithçka nga fillimi. Si të ecja, apo si të rrëzohesha, si të merrja në dorë një filxhan kafe, sepse shpërthimi mori edhe disa pjesë të duarve të mia. Por tani di t‘i bëj. Kjo është jetë tjetër", tregon Mayers. Ushtari Mayers tregon historinë dhe rreth tij dhjetëra gra dhe burra, pjesa më e madhe të rinj në moshë, lëvizin si në ndonjë prej rretheve të Dantes. Dikujt i mungon një këmbë, por ka edhe të tjerë ashtu si Mayers, që nuk i ka të dyja. Ka gra me një krah të vetëm, të rinj me fytyrën e dëmtuar shumë. "Në fillim u bën përshtypje të gjithëve. Por po të ndaloni dhe të shihni me kujdes do të habiteni nga shpresa dhe dëshira që kanë për t‘ia dalë mbanë", tregon doktor Paul Pasquina. Spitali "Walter Reed", në periferi të Uashingtonit, është zemra e perandorisë: nëse ka një vend ku ëndrra amerikane, optimizmi, besimi, sfida e një njeriu të vetëm ndaj botës së egër, vihet në provë ditë pas dite, është pa dyshim ai. 74 ndërtesa të shpërndara në 50 hektarë tokë, vetëm disa kilometra larg Shtëpisë së Bardhë, 62 klinika dhe me më shumë se 620 mijë pacientë që vizitohen çdo ditë, "Walter Reed", që prej 100 vjetësh është guri i çmuar i shërbimit shëndetësor ushtarak amerikan. Që këtu, duke nisur nga Lufta e Parë Botërore, kanë kaluar me mijëra invalidë lufte, të çdo lufte që SHBA ka zhvilluar. Aty, prej 2001-it kanë ardhur më shumë se 10 mijë të plagosur nga Iraku dhe Afganistani. Pikërisht këtu, akoma sot, rreth tri herë në javë ambulancat me xhamat e errët "shkarkojnë" ushtarët që vijnë nga teatrot e luftës. Ushtarë si Mayers ose si Hendrix Brent, një 24-vjeçar, i plagosur në Irak në qershor të 2007-ës që qëndroi në koma për katër muaj e gjysmë nga bomba që e kishte hedhur në ajër. Ata nuk kujtojnë asgjë. Brent vazhdonte të pyeste vazhdimisht se si kishte ardhur në Uashington. Duhet durimi i të gjithë ekipit për ta bërë atë të pranojë realitetin e tij të ri: një jetë pa këmbë, pa qenë më një luftëtar, i varur nga e ëma që ka ardhur nga Karolina e Veriut për t‘i qëndruar pranë të birit. Sot Brent kalon nëpër korridoret e spitalit i ulur në karrocë me rrota dhe është një nga djemtë më simpatikë të "Walter Reed". Histori si kjo e tija në spital ka me dhjetëra çdo vit. Aftësia e mjekëve për t‘u kthyer një jetë relativisht normale personave të privuar nga dy ose tri gjymtyrë e ka shndërruar këtë vend në një institucion të famshëm në të gjithë Amerikën. Në korridoret e tij kanë ardhur për vizitë pothuajse të gjithë presidentët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në kopshtin e tij, për dhjetëra vjet, janë bërë deklarata për përmirësime dhe financime të destinuara për sistemin e asistencës për ushtarakët dhe veteranët. Por, dy vjet më parë, "xhevahiri", papritur u dëmtua. Një hetim gazetaresk që i dha gazetës "Washington post" edhe çmimin "Pulitzer" tregoi për kushtet e tmerrshme të dhjetëra pacientëve në "Walter Reed" dhe ferrin burokratik që duhej të kalonin për të marrë asistencë. Artikujt çuan në largimin e drejtuesve më të lartë të këtij spitali, të nënsekretarit amerikan të Mbrojtjes, Farncis Harvey, dhe faljet publike të Presidentit të atëhershëm, Xhorxh W. Bush. Për më tepër, e gjitha kjo çoi në rritjen me 600 milionë dollarë të fondit federal për asistencën ndaj veteranëve. Strukturat e vjetra u mbyllën, organizimi i brendshëm u modifikua dhe u rrit numri i personelit. Megjithatë, jo gjithçka u zgjidh. Pak javë më parë, Presidenti Obama deklaroi se sistemi i asistencës për veteranët - në veçanti kalimi nga një luftëtar aktiv në veteran me shërbime të plota - do të jetë më i shpejtë dhe transparent. Për ta thënë këtë iu referua plotësisht skandalit të "Walter Reed": "E dimë se për një kohë shumë të gjatë nuk respektuam angazhimin që ishim zotuar se do të bënim ndaj atyre që mbajnë veshur uniformën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Shumë nga heronjtë tanë u lanë pa asistencën e nevojshme për të cilën kishin nevojë. Është koha për të ndryshuar", pati thënë. Fjalë të ashpra që brenda spitalit hapën plagë që nuk ishin shëruar plotësisht. "Kur shpërtheu skandali, ishte me të vërtetë e vështirë. Papritur u shndërruam në ata që nuk ishin kujdesur për heronjtë që kishin bërë gjithçka për vendin. Megjithatë, shumë prej problemeve për të cilën flitej ishin ato që kishim sinjalizuar ne: burokracia, mungesa e organizimit, nevoja e një personeli më të madh të specializuar në psikologji. Pas investigimit erdhën burimet për t‘i përballuar. Por, jo gjithçka u zgjidh, por kush është këtu përpiqet të bëjë më të mirën, sepse të shoshësh këta djem që bien dhe ngrihen çdo ditë është një mësim për të gjithë. Edhe për ne mjekët", kujton doktor Pasquina, që drejton ekipin e ortopedisë dhe rehabilitimit. Hendrix Brent e di mirë se ç‘do të thotë të jesh i përkëdhelur. Dhe nga kjo përfiton ashtu siç do të bënte çdo 24-vjeçar. "Më thërrisni Hoss", tregon. "Të gjithë më thërrasin kështu. Edhe Presidenti Bush". Emri i tij "Hoss" u detyrohet shumë gjërave: moshës së re, gjymtyrëve të prera, qëndrimit të gjatë (thuajse prej dy vjetësh) brenda spitalit. Është një shpirt që sipas asaj që duket nuk ka ndërmend të dorëzohet. "Nuk pendohem që kam qenë në Irak. Vërtet më ndodhi kjo fatkeqësi, por është e sigurt se do të reagoj. Kam parë njerëz në gjendje më të keqe se unë që janë shëruar dhe pastaj janë larguar. Edhe unë do të bëj të njëjtën gjë", vazhdon të tregojë. Ndërsa "Hoss" flet për veten, një botë e tërë lëviz përreth tij. Mbi një dyshek, një ushtar pa njërin krah mëson të përdorë protezat, duke i hedhur topin të bijës, një vajzë e vogël katërvjeçare. Mbi një pistë dy ushtarë, një burrë e një grua ecin lehtësisht, duke u përpjekur të mësojnë të kalibrojnë hapat. Protezat e tyre lëvizin njëkohësisht dhe për t‘i fiksuar është e vështirë të mendosh se u përkasin trupave të ndryshëm. Pak hapa më tej një terapist kujdeset që të kalojë një rrip përqark trupit të një burri me moshë te të 50-at dhe pastaj me një litar elastik e fikson në një çengel që varet nga tavani. Burri e përshkruan me vështirësi rrugën e ndihmuar nga litari që e ndihmon që të mos bjerë. Kur shkon deri në fund të gjithë e duartrokasin. "Mëson shumë duke qëndruar këtu. Mbi të gjitha për teknikën, sepse gjithmonë duhet të jesh në dijeni për risitë. Për më tepër, mëson edhe mbi shpirtin njerëzor dhe shumë burime", rrëfen doktor Pasquina. Jo gjithmonë për pacientët ka duartrokitje në fund të asaj që ata bëjnë. Në "Walter Reed", vdekja nuk është e panjohur. Shpesh vjen në formë overdoze ilaçesh, nga një përzierje mes ilaçeve dhe alkoolit ose nga kangjellat e "Georgia Avenue", kur dikush sjell lajmin se një pacient që kishte ardhur aty pak kohë më parë nuk ia doli dot mbanë për ta rinisur jetën nga fillimi dhe preferoi të vdiste. "Ka funksionarë që duhet të ndjekin ecurinë e çdo pacienti. Por shpesh nuk e bëjnë, sepse kanë shumë dhe kështu që depresioni shpërndahet gjithandej. Para artikujve tanë shpesh ishin të sëmurët ata që shqetësoheshin për të sëmurët e tjerë. Tani nuk është më kështu. Ka më shumë burime. Më shumë personel. Por ka ende shumë vrima që duhen mbushur, sidomos në asistencën psikologjike", shpjegon Anne Hull, një nga dy gazetaret të "Washington Post" që bëri investigime në spitalin "Walter Reed". Plagët e shpirtit janë më të vështira për t‘u diagnostikuar sesa ato fizike, konfirmon Robert Bahr, fizioterapist prej 34 vjetësh, por që prej 5 vjetësh punon me ekipin e spitalit ushtarak. "Përpiqemi të kujtojmë se çfarë ka brenda mendjes së një djaloshi 20-vjeçar që nuk arrin më të kontrollojë trupin e vet. Mundohemi ta ndihmojmë. Por, sfida e vërtetë është kur kthehen në shtëpi. Këtu ka njerëz si ai dhe një botë e krijuar posaçërisht për të. Jashtë prej këtu jo. Gjërat janë ndryshe. Të gjithëve u them: mund të jesh një i gjymtuar, ose një i gjymtuar që vendos të marrë pjesë në një maratonë: zgjedhja të përket ty". Sindromi më i shpeshtë është ai post-traumatik nga stresi. I quajtur ndryshe si patologjia PTSD, ajo është e keqja e fshehtë që i vret veteranët pasi kthehen nga lufta. Është një problem familjar për të gjithë këtu, por "Hoss", preferon të mos flasë. "Sigurisht që edhe unë kam qenë keq, por ishte vetëm një moment. Tani dua të ec përpara. Jeta nuk përfundon këtu. Do të studioj dhe gjej një punë, kjo falë lehtësirave për veteranët. Dhe nëse ushtria do ketë akoma nevojë për mua, do të rikthehem". Por lind pyetja se a do thotë të njëjtën gjë pas disa javësh kur rrotat e karrocës së tij do të ecin mbi trotuaret e vështira të rrugëve në vend të korridoreve të "Walter Reed"-it? "Do të duhen disa dhjetëvjeçarë për ta kuptuar. Që nga koha e luftës në Vietnam kanë kaluar shumë kohë. Tani shpëtojmë më shumë jetë dhe i lejojmë ata të ecin përpara. Por, teknologjia nuk mjafton. Këmbët nuk do të rikthehen më. Duhet të jetë gjithmonë dikush që të flasë me këta djem ditën kur nuk do të duan të vënë më protezën. Nuk duhet t‘i lëmë kurrë vetëm. Dhe ne bashkë me ta", përfundon doktor Pasquina. Edhe fjalët e Presidentit Obama thënë pak ditë më parë në varrezën kombëtare të Arlingtonit me rastin e "Memorial day", ditë kur SHBA kujton të rënit e luftës, e mbështetnin plotësisht doktorin: "Na dhemb zemra sa herë që një ushtar i yni dëmtohet apo vritet në frontin e luftës. Jam i nderuar që jam komandant i forcave të armatosura më të mira në botë. Dhe dua të them se për sa kohë do të jem unë Presidenti juaj nuk do të vë në rrezik jetën e ushtarëve tanë nëse nuk do të jetë absolutisht e nevojshme. Të jeni të sigurt se nuk do t‘ju lëmë kurrë vetëm". Në spital, një nga specialistët që po punon prej 20 vjetësh për të mos i lënë të bien në depresion ushtarët amerikanë është edhe doktor Kuiken. Ai ka vendosur t‘u vijë në ndihmë të gjithë të gjymtuarve në mbarë botën me protezat bionike. Fillimisht ai mori një fond prej katër milionë dollarësh nga Instituti Kombëtar i Shëndetit, ose më mirë nga Qeveria Federale që financoi edhe kërkimin shkencor. Më pas iu ofruan rreth 50 milionë financime nga DARPA, Agjencia e Pentagonit, që mbështeste projektet me dobishmëri ushtarake, të cilat në të kaluarën ishin zhvilluar edhe në internet. DARPA kërkonte gjymtyrë sa më natyrale dhe efikase për ushtarët e gjymtuar dhe Kuiken arriti t‘ia jepte këtë mundësi. E vetmja pengesë është çmimi që kap shifrën e katër-pesë milionë dollarëve. Duke parë rezultatet e mrekullueshme, Pentagoni dëshiron t‘i përdorë gjymtyrët biotike për ushtarët e gjymtuar në luftëra.