TIRANE- Beteja e gjatë e kryeministrit Berisha për të shkarkuar krye-prokurorin Theodhori Sollaku ka zënë vend të dukshëm në kabllogramet e ambasadës amerikane. Në një prej tyre, të dërguar në 2 maj 2006 nga ambasadorja amerikane, Marcie B. Ries, theksohet se kryeministri Berisha po e ashpërson fushatën e tij ndaj Sollakut, duke pretenduar se ai është pengesë për luftën ndaj krimit të organizuar. “Berisha e akuzon Sollakun për gjithçka, nga dembelizmi deri te lidhjet me krimin e organizuar në një përpjekje për ta diskredituar ish-këshilltarin e tij, duke e detyruar të japë dorëheqjen.
Problemet
Sollaku, energjia dhe sukseset e të cilit në detyrën janë të diskutueshme e ka mbajtur deri tani vendin e tij pasi ai mund të zëvendësohet vetëm nga presidenti”, - theksohet në mesazh. Ndërsa Sollaku nuk ka qenë aq energjik në luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, akuzat e Berishës ndaj tij deri tani kanë rezultuar të pabaza. Ka gjasa të mira që shumica e PD-së të vendosë të largojë Sollakun edhe pse në Kushtetutë kjo theksohet se ndodh vetëm në rastet kur ka abuzime të mëdha me detyrën nga ana e kryeprokurorit. Duket se shumë energji po derdhet kot në një konflikt që nuk do të sjellë asnjë të mirë. Kjo gjë mund të përfundojë vetëm në një konfrontim kushtetues mes parlamentit që kërkon heqjen e kryeprokurorit dhe presidentit që kërkon ta mbrojë atë. Ambasadorja amerikane në Tiranë thekson se fushata kundër Sollakut mund të jetë një sulm i planifikuar i Berishës ndaj tij. I nxitur nga mbrojtja që Presidenti Moisiu po i bën Sollakut, Berisha ka vendosur të luajë fort duke deklaruar në televizion se Sollaku ka lidhje me krimin.
Konflikti
Por si është puna e tij? Deri tani nuk ka të dhëna se Sollaku ka lidhje me krimin. Kur u pyet nga ambasadorja, kryeparlamentarja Topalli tha se ajo nuk kishte prova që Sollaku ishte i korruptuar a po i lidhur me krimin, por ishte e bindur se hetimi do të nxirrte diçka. Kreu i OSBE-së në Tiranë, Vacek tha se ishte i pakënaqur me shpjegimet e Sollakut lidhur me disa raste të hetimeve në Vlorë që kishin të bënin me krimin e organizuar. Edhe specialisti ynë në OPDAT, që ka punuar bashkë me Sollakun në të shkuarën thotë se ai nuk ishte në dijeni të asgjëje që e lidh Sollakun me krimin. Megjithatë, ai tha se Sollaku në disa raste kishte mungesë agresiviteti ndaj disa çështjeve si për shembull rastet e ryshfeteve ndaj ish-ambasadorit Fator Tarifa. Specialisti i OPDAT tha se Sollaku kishte një kasetë ku Tarifa kërkonte ryshfet, por nuk e kishte çuar për hetim atë sepse kishte thënë se duheshin më shumë dokumente. Por, çështja e vërtetë është nëse Berisha dhe kompania e tij do të ndjekin procedurat apo do të kalojnë kufirin dhe do të cënojnë pavarësinë e institucioneve në Shqipëri. Cilido të jetë rezultati i hetimit të mundshëm ndaj Sollakut, është thuajse e sigurt se fati i tij është përcaktuar paraprakisht. Edhe nëse Moisiu do të refuzojë ta shkarkojë atë, aftësia e Sollakut për të bërë punën e tij tani mund të jetë kompromentuar shumë për shkak të kësaj fushate të ulët.
(GSH/BalkanWeb)