Ka ardhur në Shqipëri për të sjellë një eksperiencë të re perëndimore, kur shtrirja kohore e regjimit totalitar e ka bindur atë se do të gjejë një tjetër realitet. Por nuk ndodhi ashtu. Pianisti Marcel Worms vjen nga Amsterdami për të dhënë një koncert me muzikë blues në piano në Akademinë e Arteve. Mbrëmë ka performuar në sallën e koncerteve një repertor kompozuar posaçërisht për këtë koncert nga Aleksandër Peçi. “Jam shumë i kënaqur që kam pasur rastin të luaj në një vepër premierë të kompozitorit Aleksandër Peçi, i cili ka krijuar posaçërisht për këtë koncert. Mendoj se ai ka bërë një kombinim shumë të arritur të muzikës blues dhe asaj folklorike shqiptare”, - është shprehur instrumentisti dhe kompozitori holandez, Marcel Worms. Vendet ballkanike kanë qenë gjithmonë një nga synimet e pianistit, pasi ka parë interesimin e njerëzve për muzikën blues. “Kjo është vërtet një muzikë shumë interesante dhe kam vënë re se njerëzit këtu e duan këtë zhanër. Në këtë mes ndikon edhe fakti që eksperienca ekzistuese nuk mund të krahasohet me atë perëndimore. Kam përshtypjen se kjo gjë lidhet me zgjatjen e periudhës së njohur tashmë të regjimit komunist në vendin tuaj, i cili ka krijuar natyrshëm një bllokim të artit. Pikërisht për këtë arsye njerëzit kanë një etje të madhe për të dëgjuar artin modern”, - tregon Worms. Më tej, ai na shpjegon gjerësisht kuptimin e vërtetë të këtij zhanri muzikor, pra blues, për një kompozitor bashkëkohor. “Çdo kompozitor i muzikës blues mund të shprehë gjithçka që ndjen, pavarësisht se ky është një zhanër i cili është i përcaktuar për të shprehur esencën e vet. Një tjetër e veçantë në këtë kontekst, do të theksoja se blues ka një karakter të trishtuar, melankolik. Megjithatë në këtë lloj muzike ka gjithmonë një rreze shprese, e cila të jep arsyen se shumë shpejt kjo gjendje mund të ndryshoje në sens pozitiv. Kjo është linja e blues-it, ku nga një moment i trishtë kalon në një tjetër gjendje që mendon se do të ndryshojë”, - thotë pianisti, i cili tregon se kjo do të thotë që blues-i shpreh vullnetin për të jetuar. “Të paktën kështu mendoj unë, por kjo s’do të thotë se të gjithë kompozitorët veprojnë duke ndjekur një parim të tillë”, - shton Marcel. Për herë të parë tokën shqiptare e shkel në vitin 2003, kur ai merrte pjesë në një festival muzikor. Pavarësisht kësaj, ka mundur të krijojë një përshtypje specifike, të paktën për njerëzit që ka takuar duke thënë se “njerëzit që kam takuar më duken shumë simpatikë. Në fakt, për ne të huajt Shqipëria të lë përshtypjen e një vendi të papenetrueshëm, shumë të mbyllur në vetvete dhe misterioz, por për mendimin tim asgjë nuk korrespondon me realitetin që kam gjetur”. Marcel është angazhuar prej disa vitesh në një repertor klasik modern të influencuar nga jazz-i. U ndje i tërhequr të komisionojë shumë kompozitorë holandezë për të shkruar pjesë blues. Seria e parë e këtyre veprave ka qenë gati në fund të vitit 1996, dhe është performuar premierë në “BIM Mouse”, skena kryesore e jazz-it në Amsterdam. Pas kësaj u ftuan edhe shumë kompozitorë nga vende të ndryshme të kontribuojnë në projektin ku performonte Marcel. Aktualisht 170 pjesë të reja blues nga 50 vende të botës janë përfunduar dhe ky numër është gjithnjë e në rritje. Mbrëmë ai zbarkon në një vend të vogël si Shqipëria. Megjithatë, ai lë mënjanë hapësirat gjeografike dhe shpjegon se “nuk ka rëndësi se ku do të zhvillohet një koncert blues. Nuk më intereson shumë nëse është një vend i madh si Amerikë, Rusi apo në një tjetër më të vogël, sepse muzika është një gjuhë universale që arrijë të depërtojë të gjithë kombet. Kam dëgjuar shumë muzikë shqiptare dhe atë kosovare e më duket interesante. Mendoj se në vende të tilla ballkanike si Shqipëria, apo Kosova ku jeta është çdo ditë sa vjen dhe po zhvillohet, emancipohet ndikon shumë mirë tek artisti. Për të do të thotë një shtysë më e madhe për të krijuar dhe për të ecur përpara. Ndryshe nga vendet perëndimore, ku kjo dëshirë tashmë është zbehur disi”. Marcel Worms ka studiuar në konservatorin Sweelinck në Amsterdam me Hans Dercksen, edhe duke u specializuar mbi muzikën e dhomës dhe në muzikën e shekullit 20-të për piano. Ka qenë shumë aktiv në jetën artistikë në rang ndërkombëtar me shumë vepra klasike.