Nga Skifter Këlliçi*


Xhoni & Skifteri0001Një mbrëmje, duke kërkuar të dhëna për një shkrim në Google, tashmë për të gjithë një enciklopedi mahnitëse në internet, ndesha me një foto të tenorit tonë të njohur, Xhoni Athanas dhe poshtë saj një video në të cilën ai shihej duke kënduar një këngë klasike italiane. Dhe poshtë saj në italisht përshtypje të disa italianëve,ndër të cilat zgjova njërën ku shkruhej: Nuk njoh këtë interpretues, por dëgjova një zë të bukur, të kadifenjtë që interpretonte me kaq mjeshtri Mandulina napolitanën.


Dhe solla ndërmend mbrëmjen e 17 janarit të vitit 2008, kur më ndodhi një e papritur e këndshme. Do të kremtoja 70-vjetorin e lindjes së bashku më gruan time, Natashën, edhe ajo si unë ish-gazetare në RTVSH, dhe djalin Maldi, që pas disa muajsh do të përfundonte studimet në Kolegjin Berkli, në Boston, një nga shkollat e larta më të njohura muzikore të botës.


Midis të ftuarve, më i afërmi ishte Xhoni Athanasi, ndër miqtë e mi më të mirë në Boston, ku jetoj prej më shumë se 14 vjetësh, i cili kishte në krah, të shoqen, Sekinen, ish-kërcimtare e njohur në Teatrin e Operas dhe Baletit.


Në krahun e djathë të tryezës kisha pranë edhe Anxhelo Xhaçkës, një ish-gazetar, edhe, ai i njohur në Tiranë në vitet 80-90 të cilin edhe atë e kishte sjellë fati të vinte në Amerikë, por duke këmbyer penën e gazetarit me punën e vështirë të biznesmenit.


Dhe ja, pasi u përshëndetëm Anxheloja më zgjati një libër mbulesën e të cilit lexuesit mund ta kundrojnë në mes të këtij shkrimi, me titull Xhoni Athanas, njeriu dhe artisti, të shkruar prej tij. Dhe pastaj e papritura e tjetër. Pasi e përgëzova autorin pra Anxhelon dhe Xhonin, të cilit i përkushtohej ky libër, Xhonin, hapa mbulesën e librit lexova: Kopjen e parë të këtij libri ia dhuroj ne kënaqësi të madh mikut tim më të mirë dhe Anxheloja vazhdonte më fjalë të tjera shumë të ngrohta për mua…


E vërteta është se, ashtu si çdo shikues shfaqjesh artistike dhe dëgjues i Radio Tiranës, Xhonin e kisha njohur që më 1950 kur isha jo më shumë se 12 vjeç dhe ku ai kishte ardhur nga Korça pranë Ansamblit të Ushtrisë Popullore. Pastaj, me kalimin e viteve kisha pasur rastin të takohesha dhe të njihesha me të si gazetar. Por miqësia jonë bë shumë gjatë takimeve në mbrëmjet shqiptare në restorantin Pjer For të atdhetarit të njohur shqiptaro-amerikan, Antoni Athanas. Që atëherë, në biseda të këndshme, ku Xhoni, veç ngjarjeve nga jeta e tij e vrullshme artistike, rrëfente edhe barcaleta që të shkulin së qeshuri, pasioni i gazetarit dhe shkrimtarit më kishte ngacmuar që të skicoja një libër jetëshkrimor që do ta kushtoja Xhonit dhe gruas së tij, Sekines. Por ja që Anxheloja tashmë ma kishte djegur këtë dëshirë.


Kaluam kështu herë duke iu kthyer Xhonit dhe herë Anxhelos dhe, natyrisht edhe miqve të ftuar, një mbrëmje shumë të bukur, ku Xhoni nuk mungoi që të më rikujtonte episode të tjera nga jeta e tij, që nis që nga Broktoni, qytet pranë Bostonit, në Masaçjusets, ku lindi më 1925, ku babai i tij kishte shkuar si mërgimtar, rikthimin në Korçë, vitet e fëmijërisë , duke bredhur lëndinave të fshatit e duke kënduar këngët Te plepi i Bilishtit, Tatëpjetë bregut vinje, O moj korçare.. e plot këngë të tjera. Pastaj kur babai vinte gramafonin, nga pllakat e të cilit si me magji për këtë vogëlush shpërthenin tingujt e këngëve amerikane, por edhe të pjesëve operistike La donna e mobile e Verdit, nga Turandot e Pucinit që më pas zuri ti këndonte dhe Xhoni, sa e motra i përsëriste Ti, vëlla, do të bëhesh këngëtar


Të nesërmen më tu kthyer nga puna, lashë mënjanë çdo gjë dhe zura të lexoja librin Xhoni Athanas, njeriu, artisti. Në përvojën time 50-vjeçare në fushën e letrave kam lexuar jo pak libra të natyrës muzikore që më kanë ndihmuar për të përgatitur emisionin radiofonik Novela muzikore, një pjesë të të cilave i kam ripunuar dhe i kam botuar më 1970 vëllimin me tregime Zërat e jetës dhe dy vjet më pas Mbi mjegullat e kohëve. Midis tyre kam lexuar edhe librin Jeta dhe vepra e Karuzos, shkruar nga publicisti italian, Vitorio Tortoreli. (Më pas këtë libër e përktheva nga rusishtja, por ai u nuk u botua më 1973, pas ngjarjeve tragjike të Plenumit të 4-t famëkeq të KQ dhe fjalës që mbajti atje diktatori Enver Hoxha.)


Por e them çiltërisht se libri jetëshkrimor Xhoni Athanas, shkruar nga Anxhelo Xhaçka, qëndron denjësisht edhe krahas librit të Tortorelit. Kështu që nuk u pendova se nuk kisha nisur të shkruaja një libër të libër kushtuar Xhonit.


Në verë të viti 2005 Anxhelo Xhaçka më kishte bërë një të papritur tjetër, kur më kishte dërguar një vëllimth poetik me titull Sinqerisht, shkruar prej tij. Dhe unë po sinqerisht i kisha kthyer përgjigje me një recension të botuar në faqet e një gazete, me titull: Një gazetar poet në moshën 50 vjet. Që Anxheloja ka shpirt të thellë poetik, mjafton tu ofroj lexuesve këto vargje të nxjerra nga ky vëllimth, me titull Malli-mal. Një titull disi kakofonik, por domethënia e të cilit kuptohet pasi lexon me vëmendje këto vargje:


Sikur të kisha një grusht rrufe, /Do të godisja malin mu në zemër, /Që ta rrëzoja të tërin përdhe, /E të mos i lija më emër/.Do ta merrja pastaj nëpër duar, /Që ta shkërmoqja në gurë zalli, /E ta shpërndaja në udhën e shtruar, /Ku të ecë zemra te malli


Po me këtë shpirt poetik është shkruar ky libër, në të cilin mpleksen faqe proze poetike, romani, me nota dramatike dhe në të njëjtën kohë dhe humoristike, sepse edhe me copëza të tilla është e mbushur jeta e Xhonit, kur mendon se për më shumë se gjysmë shekulli ai ka qenë pranë këngëtarëve të tillë si Avni Mula dhe Ibrahim Tukiqi, një trio vokale që bënte për vete tërë ata që ndiqnin këngët e tyre kudo që i këndonin.


Kështu i njoha edhe unë gjatë një koncerti nga të fundit në Tiranë, disa ditë para se ata të niseshin për studime në Bashkimin Sovjetik, ngjarje që përshkruhet dhe në libër, shoqëruar me dialogët e mëposhtëm në një zyrë të konservatorit Çajkovski në Moskë:


Si ju quajnë djalosh?, Xhoni Athanas. Ku keni lindur? Në Brokton, Masacjusets, SHBA. Tjetri: Emri mbiemri?, Avni Mula. Vendlindja? Gjakovë, Republika Federative e Jugosllavisë. Dhe kur vjen radha e të tretit, që ishte Rifat Teqja, që do të bëhej më pas nga dirigjentët më të mirë shqiptarë, i cili përgjigjet se ka lindur në Pekin, sepse në rusisht bashkëtingëllorja q zëvendësohet më k, atëherë, siç shkruan autori: nëpunësi i konservatorit ngrihet më këmbë, mbyll regjistrin, heq xhamin optik nga syri dhe u drejtohet të rinjve: Të më falni, por nuk po marr vesh asgjë. A ka midis jush ndonjë shqiptar?!..


Edhe me gërshetime të tilla është ndërtuar i tërë libri i Anxhelo Xhaçkës, ku natyrisht fokusi i tij përqendrohet në rrugën artistike që ndoqi Xhoni për tu bërë këngëtar, e bashkë me të edhe me Avniu me Ibrahimin dhe të tjerë, që u bënë të njohur edhe në Bashkimin Sovjetik e pastaj në vende të tjera të botës.


Pa nisur ende afshi i nxehtë i verës së vitit 1955, -shkruan autori-, dy studentët e konservatorit Çajkovski, Xhoni Athanas dhe Avni Mula, u lajmëruan të paraqiten në ambasadën shqiptare të Moskës: Jeni të ftuar të merrni pjesë në Ansamblin e Ushtrisë Popullore, i cili nën drejtimin e Gaqo Avrazit do të zhvillojë një turne të gjatë në Kinë Mongoli, Vietnam, Kore .


Kështu, siç përshkruhet në libër, zë fill rrugëtimi i Xhonit në sa e sa grupe artistike, që do ta shpien atë nga Azia në vende të tjera të Evropës, në vendet balltike, Rumani, deri në republikat më të largëta të ish-Bashkimit Sovjetik, Kirgizi, Uzbekistan, Taxhikistan dhe Turkmeni, përsëri Kinë, për më shumë se 30 vjet, me një repertor të pasur, që nga këngët popullore, nga të cilat e famshme kudo u bë