Xabi Alonso ka arritur një marrëveshje me Real Madrid për zgjatjen e kontratës së tij edhe për dy sezone të tjera, me mundësinë për një sezon të tretë.



Kontrata aktuale e mesfushorit spanjoll skadonte në 30 qershor 2014 dhe dëshira e tij për të vazhduar aventurën tek klubi madrilen ka qenë shumë e rëndësishme në këtë rinovim pasi që nga 1 janari Xabi Alonso ishte i lirë të negocionte me çdo skuadër tjetër nëse do të kishte dëshirë të largohej. Juventusi dhe disa nga skuadrat më të mira të kampionatit anglez ishin të interesuara për të. Kontrata e re do të ketë edhe një rritje në pagë: nga 4 milionë euro neto, Xabi do të marrë tashmë 6 milionë euro neto për sezon. 32-vjeçari është transferuar nga Liverpool tek Real Madrid në vitin 2009, vit kur Reali bleu edhe Cristiano Ronaldo, Kaka’ dhe Benzema. Madrilenët paguan 30 milionë euro për të dhe gjatë gjithë këtyre viteve, Xabi ka qenë i pazëvendësueshëm në skemat e çdo trajneri që e ka pasur nën urdhrat e tij. / Top Channel