TIRANE- Partia Socialiste ka vijuar me publikimin e dokumenteve që përfshijnë Ministren e Integrimit, Majlinda Bregu në afera koncensionare.

Pas përgënjeshtrimit nga ministrja Bregu dhe drejtori i QKR-së se bashkëshorti i ministres, Namik Ajazi ka një vit që ka dhënë dorëheqjen si aksioner dhe administrator i kompanisë Mia International, deputetja socialiste Olta Xhacka publikoi një dokument që provon të kundërtën.

Në kohën që selia rozë denonconte publikisht aferat koncensionare, aksionari dhe ortaku i kompanisë Mia International Namik Ajazi kërkonte urgjentisht mbledhjen e bordit të ortakëve, ku kërkonte të dorëhiqej.

“Për shkak të karakterit të ngutshëm, zoti Namik Ajazi kërkon të mbledhë ortakët e kompanisë MIA International për të dhënë dorëheqje. Pra, deri përpara pak ditësh, zoti Namik Ajazi, bashkëshorti i Majlinda Bregut, jo vetëm nuk kishte dhënë dorëheqjen, jo vetëm firmoste si administrator dhe ortak, por vetë pranon se kompania ishte aktive. A mos vallë pikërisht në ditët kur opozita denonconte koncensionet korruptive, bashkëshorti i ministres kish filluar të nuhaste se skandali i rradhës do të ishte pikërisht i tiji dhe bashkëshortes ministre?” deklaroi deputetja Xhacka.

Në emër të Partisë Socialiste, Xhacka kërkoi sërish dorëheqjen e drejtorit të Qendrës Kombëtare të Regjistrimit, Tom Kola për manipulim të të dhënave dhe dokumenteve zyrtare.
(e.n/news24/BalkanWeb)