Deklaratë për media e deputetes Olta Xhaçka zëdhënëse e fushatës së Partisë Socialiste
TIRANE, 21 Qershor /ATSH/- Deputetja Olta Xhaçka, zëdhënëse e fushatës së Partisë Socialiste, i beri apel qytetareve që të votojne, pasi siç tha ajo "Çdo votë sot është një investim për të ardhmen e bashkisë suaj të re, të familjes suaj, fëmijëve, mbesave e nipërve tuaj".
Në një deklaratë për shtyp, te dielen mbasdite Xhaçka tha se " ky 21 qershor ka një rëndësi të veçantë prandaj kush nuk ka votuar ende duhet të vlerësojë rëndësinë që ka shkuarja sot në qendrën e votimit". Çdo votë më shumë ka rëndësi, pavarësisht se për kë votoni, u shpreh ajo, ndërsa theksoi se, sa më e lartë pjesëmarrja sot aq më e madhe përgjegjësia e të zgjedhurve nesër".
"Vota e sotme është një votë që prek në mënyrë të drejtpërdrejtë jetën tuaj jashtë mureve të shtëpisë. Është një votë që vendos sesi do të pastrohet, përmirësohet, projektohet drejt të ardhmes bashkia ku ju jetoni. Prandaj këto 90 minuta të mbetura kanë shumë rendësi që t'i shfrytëzoni për të mos mbetur pa votuar", tha Xhaçka.
Sipas saj, kjo është një votë që përcakton nëse nesër do të keni bashkinë që doni, një bashki ku ju meritoni të jetoni më mirë prandaj edhe duhet të votoni për atë që meritoni. Pavarësisht se për cilin kandidat apo forcë voton, fakti që voton ka një rëndësi të posaçme sepse të bën pjesë të përgjegjësisë së lartë qytetare. Prandaj votoni, votoni, votoni! Kanë mbetur edhe 90 minuta. Për të votuar duhen vetëm 4 minuta, por ndikimi i votës suaj zgjat 4 vjet", theksoi Xhaçka.
Prandaj mos e lini në dorën e askujt tjetër të vendosë për ju! Votoni! apelo deputetja Xhaka duke përsëritur në mbyllje të fjalës së saj thirrjen për gratë e vajzat, "votoni sepse kjo dite është historike për ne dhe nuk ndodh shpesh të bëhesh pjesë e historisë me votën tënde. Votoni të dashura nëna e motra, mike e shoqe, në qytet e fshat, kudo që jeni votoni"! e,xh/f.n/