Daniel Xhafaj e nisi sezonin me Besën me një dygolësh në fitoren 2-0 kundër Vllaznisë, por qysh atëherë, në tre ndeshjet e fundit, ish-sulmuesi Tiranës nuk e ka gjetur më golin, duke parë sipër vetes në liistën e përgjithshme të golashënuesve dy sulmues të tjerë: Vangjel Milen e Teutës (3 gola) dhe Endri Çajkun e Skënderbeut (po 3 gola).

Besa ka realizuar pesë gola në katër javët e para, ku vetëm në ndeshjen kundër Tiranës (0-0) nuk e gjeti rrugën e rrjetës. Tre golat e tjerë mbajnë firmat e Cikalleshit, Mihnit e Mancakut. 32-vjeçari, i cili në sezonin e fundit në radhët e bardhebluve shënoi 10 gola, i dyti pas golashënuesit më të mirë të kampionatit, Migen Memelli (22), duket se po përjeton një krizë goli.

Duke parë golat e vlonjatit në pesë sezonet e fundit, shohim një Xhafë prodhimtar në kufirin e mbi 20 golave. Kështu në sezonin 2003-2004 Xhafa shënoi 21 në radhët e Teutës (“Këpucën e artë’ e fitoi Sinani, me 23 gola, kampionati atëherë ishte me 36 javë); në edicionin 2004-2005 realizoi 21 gola me fanellën e Teutës ishte pretendent për fitimin e “Këpucës së artë” (e fitoi Bylykbashi i Partizanit, me 24 gola) dhe në sezonin 2006-2007, po me Teutën shënoi 20 gola (“Këpucën e artë’ e fitoi Sinani, me 23 gola), përpara se transferohej te Tirana në sezonin 2007-2008.

Te Tirana, Xhafaj ka pësuar rënie në rendiment. Ish-lojtari i Flamurtarit e Dinamos nuk ka qenë kurrë një “makinë golash”, ose së paku nuk ka qenë “violina e parë” te Tirana.

Arsyet e mosgjetjes së rrjetës nga ana e Xhafajt janë të shumta. Mund të jenë edhe taktike. Skuadrat e drejtuara nga Shpëtim Duro kanë më shumë një nuancë mbrojtëse e kontrolli të plotë të mesfushës, për të kapur kundërshtari me kundërsulme, çka nevojiten sulmuesi të shpejtë. E Xhafa në moshën 32-vjeçare ka nevojë për freski.

Presidenti Bizhdili, një figurë simpatike e drejtimit të klubeve shqiptare, i famshëm për imitimin e gjestit “ndërkombëtar” të ish-udhëheqësit sovjetik, Nikita Hrushov, atë të goditjes së tavolinës me këpucë në selinë e OKB-së, kur Bizhdili hodhi këpucën gjyqtarit Bardhyl Pashaj nga tribuna “Vip” e stadiumit “Besa”, e konsideroi blerjen e Xhafajt si një prej investimeve më të rëndësishme të tij për realizimin e objektivit të madh, fitimin e titullit kampion, çka do ishte edhe hera e parë e klubit kavajas.

Gjithsesi, Daniel Xhafajt, ka treguar më shumë se një herë se është i aftë të shënojë në ndeshjet e mëdha të futbollit shqiptar, ku dhe ai e gjen më lehtë frymëzimin.

Në fakt, duke parë emrat e golashënuesve, të atyre që kanë shënuar në këto katër javë, sulmuesit e mirëfilltë kanë shënuar vetëm nga dy gola (me përjashtim të Miles, 3). Kështu, kroatët Rukavina e Guerrib (të dy të Skënderbeut), Bakaj (Dinamo), Abazaj (Kastrioti), Abilaliaj (Tirana), Mustafaj (Shkumbini) kanë realizuar nga dy gola, teksa në total në 24 ndeshjet e zhvilluara gjatë katër javëve janë shënuar 49 gola (2.02 gola për ndeshje).







GOLAT NGA DANIEL XHAFAJ

Sezoni 2008-2009: 10 gola (Tirana)

Sezoni 2007-2008: 8 gola (Tirana)

Sezoni 2006-2007: 20 gola (Teuta)

Sezoni 2004-2005: 21 gola (Teuta)

Sezoni 2003-2004: 21 gola (Teuta)



Çudia

Vllaznia, 1 gol në katër ndeshje



Është e pabesueshme, por realisht e vërtetë. Vllaznia duket se nuk di të shënojë gol, duke qenë skuadra që ka realizuar më pak në katër javët e para: vetëm 1 gol në 360 minuta lojë, edhe ky i realizuar ndaj Apolonisë u shënua në minutën e 93-të nga Ilir Nallbani). Kjo statistikë e 9-herë kampionëve të Shqipërisë, që kanë në gjirin e tyre golashënuesi më të mirë në aktivitet, Vioresin Sinanin, është shumë e trishtueshme, ashtu si vendi i 9-të që zë në renditje, është jashtëzakonisht pak për nënkampionët e sezonit të kaluar. Te vetmet kënaqësi kuqeblu: barazimi pa gola me Dinamon si dhe fitorja në sekondën e fundit me fierakët. Dy takimet në transfertë, të dyja të humbura me Besën (2-0, java 1) dhe Kastriotin (1-0, java 3).





22 Shtator 2009