Lulzim Basha doli nga selia e Partisë Demokratike në një deklaratë për mediat, ku renditi veprimet e Prokurorisë, që sipas tij, provojnë akuzat e opozitës ndaj Agron Xhafajt dhe Fatmir Xhafajt.


Basha deklaroi se organi i prokurorisë veproi pa asnjë ndryshim sipas skenarit kriminal të hartuar nga Edi Rama dhe Fatmir Xhafaj.


Deklarata:


Prokuroria Rama-Xhafaj-Marku:


1- Lejoi largimin nga Shqipëria të Agron Xhafajt pa guxuar ta marrë atë në pyetje si trafikant droge, pa e nxjerr me zë e figurë përpara shqiptarëve, dhe pa e ballafaquar me dëshmitarët e çështjes.

2- Pranoi në fshehtësi të plotë mostrat e zërit të regjistruara privatisht në mes të natës, edhe pse për tu realizuar ekspertiza kërkohet që regjistrimi të kryhet në të njëjtat kushte dhe me të njëjtat pajisje siç është bërë edhe përgjimi fillestar.

3- Vuri në dispozicion të trafikantit në mes të natës prokurorët e Prokurorisë së Tiranës, të cilët nuk guxuan të kërkonin asnjë provë që zëri i regjistruar si kampion eksperimental është apo jo i Agron Xhafajt.


4- Brenda natës (15 Maj 2018) Prokuroria e Tiranës me urdhër të treshes Rama-Xhafa-Marku:

regjistroi kallëzimin penal të Agron Xhafajt për kallëzim të rremë;

hodhi shortin për caktimin e prokurorit;

prokurori i caktuar mori në dorëzim dosjen dhe shqyrtoi materialet fillestare;

prokurori vendosi të regjistrojë procedim penal;

prokurori vendosi të kryejë veprime hetimore siç ishte adnministrimi i dëshmisë së Agron Xhafajt;

prokurori vendosi të marrë në pyetje dëshmitarin Albert Veliu, ende pa u bërë publik identiteti i tij;

prokurori vendosi të kryejë një tjetër veprim hetimor siç ishte vendimi për ekspertim;

prokurori vendosi të caktojë ekspertin;

prokurori vendosi të pranojë mostrat e zërit;

prokurori vendosi transferimin e çështjes pas kësaj për në Prokurorinë e Krimeve të Rënda.


Të gjitha këto u kryen brenda 24 orëve, sepse skenari kriminal i Edi Ramës parashikonte fshehjen të nesërmen (16 Maj 2018) jashtë Shqipërisë të Agron Xhafajt.


7 qershor 2018 (gazeta-Shqip.com)