Drini është mëkati që po ia ha trupin prej kohësh Xhamisë së Plumbit. E ndodhur pranë lumit, ky objekt kulti me vlerë të rrallë paraqitet me probleme të rënda. Terreni i ulët i bën të pashmangshëm ujërat që e rrethojnë xhaminë nga të gjitha anët. Pra, drenazhimi i tokës përreth është nevojë urgjente.


Dega e Monumenteve të Kulturës në Shkodër si dhe komuniteti mysliman - xhamia vazhdon të shërbejë si objekt kulti - janë interesuar vazhdimisht për këtë problem. Projektet e zbatuara kohë pas kohe për shkak të financimeve të vogla nuk kanë qenë për ndërhyrje radikale dhe për pasojë dhe nuk kanë dhënë rezultat. Ervin Gjini, drejtori aktual i Monumenteve të Kulturës në Shkodër, di që më 2002 janë akorduar 2 milionë lekë të reja për sistemin e kullimit të ujërave që rrethojnë monumentin sa herë ka reshje. Projekti parashikonte kullimin dhe derdhjen e tyre në lumin Drin, por pa efekt. Xhamia “kalbet” sa herë bie shi.


Ndërhyrjet e tjera kanë konsistuar në restaurimet e ambienteve të brendshme që të thuash të vërtetën nuk i shtojnë asnjë pikë bukurisë së monumentit përballë sfidës që i bëjnë plehrat në sheshin pranë.


Reagimet e komuniteti mysliman dhe të besimtarëve vetë nuk pijnë më ujë dhe kanë qenë aq të shpeshta sa janë bërë rutinë.


Eljaz Rexhepi, kujdestari i xhamisë që mban çelësat dhe e vë në dispozicion të besimtarëve që kryejnë faljet në 5 vaktet, thotë se është bërë edhe një “fushatë” shtëpi më shtëpi për t’iu kërkuar banorëve të mos hedhin mbeturina aty.


Banorë të tjerë të lagjes Qafë, besimtarë që vijnë e falen në këtë xhami, thonë që njerëzit i hedhin mbeturinat rrotull monumentit sepse rrugët e kësaj lagjeje janë aq të ngushta sa mjetet e pastrimit nuk hyjnë dot, kështu që është e kotë të vendosen kazanët e plehrave.


Thuhet se për vitin 2008 do të investohen për restaurime në objekt 4 milionë lekë. Drejtori Gjini mendon se duhet ndërhyrë tek dritaret e kapakët e tyre prej druri dhe tek tamburi i kupolës së madhe. Kurse për drenazhimin e tokës rreth objektit, ai sheh si pengesë edhe disa ndërtime që pengojnë ujin të rrjedhë dhe për këtë do të duhej ndërhyrja e inspektoratit ndërtimor urbanistik.


Dihet që nga Ministria e Bujqësisë dhe bordi i kullimit të ujërave në Shkodër ka2 projekte për drenazhimn e tokës rreth Xhamisë së plumbit, njëri i hartuar nga këto institucione dhe tjetri nga Drejtoria e Ujërave dhe Myftinia e Shkodrës. “Janë bërë studime e sondazhe për të parë ku pengohet kullimi i ujit, ku do të vendosen tubacionet shkarkues. Projekti parashkon veshjen e tyre me këmishë betoni dhe ndërtimin e gropave drenazhuese me inerte që thithin ujin”,- sqaron Gjini. Por këto projekte nuk dihet në do të fillojë ndonjëherë dhe në do të zbatohen një ditë, sepse bashkëpunimi mes dikastereve në fjalë është i ngrirë. Zakon i hershëm i institucioneve tona.


Gjendja e të quajturës “Xhamia e plumbit”, shtresat e plumbit prej kohësh janë hequr e marrë për t’u shitur në vitet nëntëdhjetë – është e tillë që në kohë me reshje, uji arrin deri 80 cm mbi xokolaturën e xhamisë, dhe shpesh futet brenda saj. Gjithashtu, depozitat e materialeve të ngurta kanë mbuluar shkallët e saj që kanë qenë 9, ndërsa tani janë 3.


Nga ana tjetër, drejtori i Monumenteve në Shkodër, si për t’i quajtur maksimale përpjekjet e institucionit të tij për shpëtimin e Xhamisë së Plumbit, thotë se një “projekt i madh” për rehabilitimin e plotë të objektit, prej vitesh fle në sirtaret e Institutit të Monumenteve të Kulturës. Në këtë projekt thuhet se parashikohet edhe ribërja e minaresë e dëmtuar nga rrufeja në vitin 1967.


Dhe në fund, nga Elmazi, roja i Xhamisë së plumbit, mësojmë edhe një detaj jo pak të rëndësishëm që autoritetet e fshehin. Tokës që rrethon xhaminë, kjo pjesë e një ansambli kulturor të lashtë, pranë kalasë dhe urës së vjetër të Bahçallëkut, i ka dalë pronari.


Vendi dhe objekti


Xhamia e Plumbitnë Shkodër është monument kulture me vlera të veçanta arkitektonike dhe kulturore. Është ndër të rrallat objekte të kultit mysliman në Shqipëri e ndërtuar sipas stilit osman, ndryshe nga xhamitë e tjera që janë ndërtuar sipas stilit arab. E ndodhur në hyrje të qytetit, pranë kalasë “Rozafa”, xhamia ka shanse dhe e meriton të tërheqë më shumë vizitorë nga ç’ia lejon gjendja aktuale. E shpallur “Monument Kulture” që më 1948, i shpëtoi shkatërrimit të objekteve të kultit më 1967 kur u ndalua predikimi i fesë. Në dhjetor 1990, aty u mbajt rituali i parë i fesë islame pas periudhës së ndalimit të saj. Xhamia e plumbit - vazhdon të funksionojë si objekt kulti dhe sot, është ndërtuar në vitin 1773 nga Mehmet Pashë Bushatlliu, në atë kohë vezir i Shkodrës. Kubetë e saj u veshën të tëra me shtresa plumbi dhe gurët për ndërtimin e saj u sollën dorë më dorë nga populli. Xhamia është restauruar më 1863, më 1920 dhe më 1963. Në vitin 1967 një rrufe dëmtoi minarenë e saj e cila ishte ndërtuar me gurë të latuar, ndërsa shtresat e plumbit prej kohësh janë vjedhur.