Xhaxhai i Aleks Nikës, protestuesit lezhjan të vrarë më 21 janar përpara Kryeministrisë, thotë në një intervistë për GSH se janë të zhgënjyer që prokuroria nuk ka zbardhur këtë vrasje. Dosjet janë dërguar në Gjykatë, por hetimi për Nikën vazhdon. Megjithatë Mark Nikaj thotë se çështja po shkon drejt arkivimit, pasi provat janë prishur.


Prokuroria në këtë çështje u bë palë me pushtetin. Ne dyshojmë se provat janë manipuluar. Zvarritja e hetimeve ishte e panevojshme. Siç ka thënë një analist i njohur, ky krim lindi i zbardhur. Mosveprimi në kohë solli si pasojë deformimin dhe manipulimin e provave, tha Nika.


Ne dyshojmë që plumbi që u hoq nga koka e Aleksit është dëmtuar nga policia ose në Turqi ku u dërgua për kurim. Pastaj është e çuditshme se si u deshën plot dy muaj që plumbi të vinte në Shqipëri, thotë Nika.


Sipas tij, skaneri i Nikës tregon se plumbi ka hyrë drejtpërdrejt, jo me rikoshet. Po ashtu armët që përdor garda nuk kanë plumba që deformohen në kontakt me viktimën.


Prokuroria thotë se plumbi është aq i deformuar sa nuk mund të identifikohet nga ekspertiza balistike.


Nika thotë se nuk ka as ushtri e as gardë që vepron pa urdhër. Për mua është e kuptueshme, vrasjet më 21 janar i urdhëroi Ministri i Brendshëm, shprehet Nika. Por ai premton se do e kërkojnë pa ndërprerje drejtësinë.