Rreth 100 poetë të ardhur nga Greqia, Bullgaria, Maqedonia, Kroacia, Kosova dhe Shqipëria kanë marrë pjesë në Festivalin Poetik Ballkanik, “Trëndafilat e Elbasanit”. I kthyer tashmë në traditë, në edicionin e tij të 10-të ky festival ka pritur me dhjetëra poetë të huaj dhe vendas, të cilët në sallën e teatrit “Skampa” kanë recituar poezitë e tyre.
Kjo ditë për poetin elbasanas, njëherazi dhe për kryetarin e Klubit të Shkrimtarëve “Kostandin Kristoforidhi”, Milianov Kallupi, cilësohet si dita e veroreve, dita e luleve, e vjollcave, e karaktereve, e gjallërimit të natyrës dhe shpirtit njerëzor. Me mbështetjen e Bashkisë së Elbasanit, poetët të ndarë në grupe kanë recituar në sallën e teatrit “Skampa”, ku edhe janë duartrokitur poezitë e tyre nga audienca që kishte mbushur këtë sallë.
Në këtë ditë juria ka vlerësuar me çmimin “Kurora e Festivalit Poetik Ballkanik, Trëndafilat e Elbasanit” poetin e njohur Xhevahir Spahiu, emrin e të cilit mban edhe pema e mbjellë sot në “lulishten e poetëve”, në ambientet e Bashkisë së Elbasanit për nder të tij. Ky çmim sipas Kallupit, “përkon edhe me 65-vjetorin e lindjes së poetit”.