Xhevahir Sukaj më në fund i Vllaznisë. Viti i Ri vjen me një dhuratë të çmuar për tifozerinë shkodrane që më në fund do të mund të shohin benjaminin e tyre të veshë fanellën kuqeblu në vijim të një sezoni delikat për Vllazninë që synon të sigurojë sa më shpejt mbijetesën në Kategorinë Superiore.


Marrëveshja totale me sulmuesin është arritur edhe falë tratativave intensive të trajnerit Ernest Gjoka që e ka dashur me ngulm qendërsulmuesin në skuadër.


Një ndër problemet kryesore që ka hasur Vllaznia deri në këtë fazë të sezonit ka qenë pikërisht gjetja e golave dhe me afrimin e një bomberi si Sukaj aftësitë e të cilit nuk diskutohen skuadra shkodrane shpreson të gjejë golat që i duhen për të siguruar qëndrimin në elitën e futbollit shqiptar.


30-vjeçari pritet të dalë në 5 janar në stërvitje me Vllazninë, që pritet të nisë pikërisht në këtë datë përgatitjet me një minifazë përgatitore në Malin e Zi.


Për Sukajn pas pak hapësirave të gjetura këtë vit te Partizani, kjo duket zgjidhja ideale duke qenë se bëhet fjalë për një rikthim në skuadrën e qytetit të tij, aty ku shpërtheu si një ndër talentet më të mëdhenj të futbollit shqiptar në këto dy dekadat e fundit.


Për herë të fundit Sukaj ka luajtur me Vllazninë në sezonin 2011-2012 dhe tani kthehet aty në moshën 30- vjeçare  me synimin për të ndihmuar skuadrën e qytetit të tij në një moment delikat.


Megjithatë merkato e Vllaznisë nuk ndalet vetëm te Sukaj, mbrojtja është një repart ku përforcimet konsiderohen të domosdoshme nga trajneri Ernest Gjoka që synon të afrojë 3 futbollistë në këtë repart, dy qendërmbrojtës dhe një lojtar që mund të luajë në krah.


Tekniku është në tratativa me disa elementë, vendas dhe të huaj dhe i duhet të vendosë me kujdes alternativat më të mira, ndërkohë që nuk përjashtohet edhe afrimi i ndonjë sulmuesi tjetër për tu alternuar me Sukajn.


Janë këto planet e Vllaznisë për fillimin e 2018, vit ku synohet arritja e mbijetesës dhe më pas privatizimi i klubit për të hapur një faqe të re në historinë e një emri të madh të futbollit shqiptar.


3 janar 2018 (gazeta-Shqip.com)