Lezhjanët kanë humbur betejën e parë në Lushnje, por duke nisur nga përballja e radhës me pogradecarët kërkohet marshimi drejt superligës
Nga ILIR CARA
Në dy sezonet e fundit lezhjanët kanë mbetur vetëm një hap larg superligës, ku në të dy rastet janë rrëzuar në ndeshjen shtesë. Objektivi superligë mbetet sërish në lojë dhe presidenti Gjok Noka është munduar të krijojë një tjetër skuadër ambicioze, me shpresën se ajo që nuk u realizua dy herë radhazi, të arrihet këtë vit. Kampionati nuk ka nisur mirë për Besëlidhjen, pasi në javën e parë lezhjanët janë mundur 1-0 në Roza Haxhiu të Lushnjes. Për kapitenin Dashamir Xhika ajo që ndodhi në Lushnje duhet të shërbejë si mësim, në mënyrë që Besëlidhja duke nisur nga takimi i radhës me Pogradecin të nisë misionin e saj. Gardiani lezhjan ka besim se këtë javë ekipi do ti gëzojë tifozët vendas dhe ndaj Pogradecit nis sezoni i vërtetë i Besëlidhjes. Kishim menduar një fillim ndryshe për këtë kampionat, por nuk ia arritëm qëllimit, ndonëse duhet thënë se nuk meritonin atë humbje në Lushnje. Por nuk duhet të merremi me këtë takim për të gjetur justifikime, pasi kemi shumë pranë ndeshjen e radhës me Pogradecin. Gjithsesi humbja në start duhet të na shërbejë si mësim, që të mos e përsërisim më. Jam i bindua se ndaj Pogradecit nuk do të ketë hapa tjetër të gabuar dhe nga kjo sfidë në shtëpi nis sezoni i vërtetë për Besëlidhjen. Skuadra ka ndryshuar disi pamjen, por jo objektivin dhe shpresojmë që atë që nuk bëmë në dy kampionatet e fundit ta konkretizojë në fund të këtij sezoni. Duhet një përkushtim i madh, pasi dihet se në këtë kategori këtë vit luajnë klube, që kanë bërë histori në futbollin shqiptar, si Partizani dhe Dinamo. Gjithsesi ajo që duhet të bëjmë së pari, është fitorja me Pogradecin, u shpreh për Sportin shqiptar portieri i Besëlidhjes, Dashamir Xhika.