Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, i kryesuar nga Muhamet Mustafa, kryetar, në kuadër të aktiviteteve të tij, vizitoi sot Zyrën e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE).

Kryesuesi i Bordit, Enver Halimi, me bashkëpunëtorë, i informoi anëtarët e komisionit për zhvillimet dhe aktivitetet e ZRRE-së, si dhe sfidat e saj. Ndër çështjet me rëndësi Halimi e potencoi procesin e hartimit dhe miratimit të akteve nënligjore si rrjedhojë e miratimit të ligjeve të reja të energjisë, si dhe miratimin e tarifave. Në këtë rast theksoi se tarifat e energjisë janë zbritur 8% për konsumatorët joshtëpiakë.

Çështje me rëndësi që u diskutuan në këtë takim ishin korniza ligjore, investimet në sektorin energjetik, ndërsubvencionet, humbjet komerciale, skemat tarifore, tarifat për konsumatorët joshtëpiakë, tarifat për ngrohje, hapjen e tregut të energjisë, si dhe mundësitë për të ndërtuar një sistem tarifor të energjisë i cili është në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik të vendit dhe konkurrues në ekonominë rajonale.

Anëtarët e komisionit parlamentar shprehën interesim për një varg çështjesh, për të cilat u informuan nga kryesuesi dhe anëtarë të tjerë të Bordit të ZRRE-së, njofton Zyra për media dhe marrëdhënie me publikun e Kuvendit të Kosovës.