Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, prezantoi dje drejtoreshën e re të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, Zana Çela.

zana

Për nga zhurma që u zhvillua para dhe pas shpalljes së emrit fitues, zërave kundër, protestave në rrjetet sociale, që numëronin dështimet dhe gjithë të "zezat" e Zana Çelës, pritej që kjo "ceremoni" të paraprihej me ndonjë protestë me pankarta në duar kundër drejtoreshës së padëshiruar, por në të vërtetë nuk ndodhi asgjë e tillë.

zana1

Holli i TKOBAP ishte tejmbushur me punonjës të tij, të cilët e takuan me shumë dashamirësi dhe shtrënguan duart me drejtoreshën e re, e cila u shpreh gati për të nisur punën për sezonin e ri artistik. Nuk munguan edhe duartrokitjet.

Përshëndetja e rastit nga drejtuesja e re e institucionit (në të vërtetë për herë të dytë në krye të tij) u parapri nga një hyrje e ministres Mirela Kumbaro, e cila bëri një bilanc të shkurtër të arritjeve të TKOBAP, si dhe për rikonstruksionin e godinës.

zana3

"Kam thënë dhe i besoj shumë fort, nuk është një slogan, por një e vërtetë që e besoj, që artistët mbeten, drejtuesit venë edhe vinë, sepse kanë detyrë që të drejtojnë për një periudhë të caktuar, për t'i lënë drejtuesit pasardhës një sukses, një kontribut, që pastaj të shkojë më përpara. Kjo vlen për drejtorët edhe për ministritë. E dimë të gjithë bashkë se nuk ka qenë e lehtë, që të arrinim ato parametra që kemi arritur, duke përfshirë edhe vështirësitë, edhe debatet, edhe ndoshta keqkuptimet e vitit të parë, edhe keqkuptimet e punës së përditshme, sepse edhe ajo është pjesë e punës dhe e zhvillimit", tha Kumbaro.

zana2

Ajo u shpreh se deri në muajin dhjetor, kalendari i TKOBAP do të jetë i plotë, pasi kjo kohë do të shfrytëzohet për parapërgatitjen e rikonstruksionit të ndërtesës, që ministrja njoftoi se do të bëhet publik në datën 7 shtator.

Më tej e mori fjalë Zana Çela, e cila, duke u thënë kolegëve të pranishëm se ka qenë një nga ndjekëset më të rregullta të shfaqjeve të tyre, paraqiti shkurtimisht platformën e saj për drejtimin e institucionit të TKOBAP.

Atë platformë që ajo paraqiti përpara komisionit në Ministrinë e Kulturës, për konkursin e postit të drejtorit. Duke iu referuar rikonstruksionit që pritet të nisë në krye të vitit që vjen, ajo u shpreh: "Ne do të spostohemi nga kjo godinë për të arritur në një godinë më të mirë, prandaj këtë situatë tranzicioni do ta përdorim për të shkuar te publiku atje ku është, sepse shqiptarët kanë vetëm një teatër. Është detyra jonë të shkojmë te të gjithë".