Prishtinë, 2 shtator - Bashkimi Evropian (BE) duhet të ndërmjetësojë në bisedimet ndërmjet Prishtinës e Beogradit për çështje teknike, ndërkaq UNMIK-u nuk mund ta marrë këtë rol, por mund ta lehtësojë procesin e bisedimeve, ka thënë shefi i UNMIK-ut Lamberto Zannier.
Pas një takimi që pati të enjten me kryetarin e Kuvendit të Kosovës Jakup Krasniqi, Zannier  ka thënë se UNMIK-u nuk do ta detyrojë askënd që të hyjë në bisedime dhe se Prishtina e Beogradi duhet ta përcaktojnë vetë agjendën e bisedimeve, pasi të ulen në tavolinë.
“është koha që evropianët ta kryejnë këtë rol. Mendoj se duhet të koordinohemi me evropianët për këtë çështje. Unë do të shkoj shumë shpejt në Bruksel dhe do t’i inkurajoj ata që ta marrin përsipër rolin ndërmjetësuesit për bisedime, edhe me mbështetjen time”, ka thënë Zannier.
Krasniqi, nga ana tjetër, ka thënë se Kosova është e gatshme që të bisedojë me Serbinë, për lehtësimin dhe përmirësimin e kushteve të jetesës së komunitetit serb në Kosovë, por sa i përket statusit të Kosovës, bisedimet kanë marrë fund në Vjenë, respektivisht më 17 shkurt të vitit 2008, kur Kosova e shpalli pavarësinë.