29/05/2005  Shkon në gjykatë dosja e 2004, hetime edhe për ngjarjet e 1997


Zarif Bregu është vlersuar si një nga njerëzit më të inkriminuar të këtyre ngjarjeve, midis të cilave edhe për sulmin me armë ndaj vilës së Prototuarve në qendër të Urës Vjagurore. Ai është hetuar në gjendje arresti për disa akuza katër vjet më parë, por, pas disa mungesash, Gjykata e Shkallës së Parë e Fierit e ka lënë atë të lirë, për mungesë provash


BERAT – Gjykata e Shkallës së Parë e Rrethit të Beratit, disa ditë më parë, ka filluar hetimet gjyqësore (gjykimin) në mungesë për 29-vjeçarin Zarif Bregu, banor i lagjes “Guri i Bardhë”, i Urës Vajgurore, i cilësuar si një nga të fortët e Beratit pas ngjarjeve të vitit 1997.


Zarif Bregu është vlersuar si një nga njerëzit më të inkriminuar të këtyre ngjarjeve, midis të cilave edhe për sulmin me armë ndaj vilës së Prototuarve në qendër të Urës Vjagurore. Ai është hetuar në gjendje arresti për disa akuza katër vjet më parë, por, pas disa mungesash, Gjykata e Shkallës së Parë e Fierit e ka lënë atë të lirë, për mungesë provash.


Për mëse katër vjet, dosja “Bregu” mbeti në harresë, ndërkohë që ai ndodhej në Evropë.


Emri i tij u shfaq përsëri pas muajit janar 2005, në procesin e kompletimit të dosjeve të vitit 1997, dhe veçanërisht pas atentatit të tregtarit të karburantit në Urën Vajgurore të vitit të kaluar.


Zarif Bregu është shpallur person në kërkim nga policia shqiptare për llogari të Prokurorisë e Gjyaktës së Shkallës së Parë të Beratit, të cilat njëkohësisht janë impenjuar me hetimet e akuzave të rënda kundër tij.


Shpallja në kërkim


Në dosjet e drejtësisë së Beratit, Zarfi Bregu njihet me tre emra të ndryshëm që dyshohet se ka në pasaportë, emrat me të cilat qarkullon. Përveç emrit Zarif, ai përdor edhe Zalo Bregu, si edhe Gentjan Tano.


Zarif Bregu është shpallur person në kërkim nga gjykata e Shkallës së Parë të Beratit, me një urdhër të datës 03.11.2004, të kësaj gjykate.


Por pas kësaj date, as policia shqiptare dhe as shërbimet tona inteligjente nuk kanë mundur të bien në gjurmët e tij.


Në këtë dosje mësohet se nga verifikimet e bëra rezulton se që prej datës 11.04.1997, Zarif Bregu, nuk është pajisur me pasaportë shqiptare në asnjë qytet të vendit. Gjithashtu, nga kjo dosje, mësohet se gjatë gjithë vitit 2004 dhe deri në dy muajt e parë të vitit 2005, Bregu nuk figuron të ketë hyrë apo dalë legalisht nga Shqipëria.


Dosja 2004


Në dosjen e përpiluar nga prokurorja Ermonela Felaj, Zarif Bregu akuzohet si i dyshuari kryesor, dhe si autor i vetëm i atentatit kundër tregtarit të karburantit në Urën Vajgurore, Bardhi Ruçi, më 26 tetor 2004, në lagjen “Guri i Bardhë”. Në këtë dosje hetimore janë administruar të gjitha gjurmët të fiksuara në vendngjarje, deklarimet e mëse pesë dëshmitarëve dhe shumë detaje të tjera në mbrojtje të akuzës.


Në akt-ekspertizën e ngjarjes mësohet se në vendngjarje janë gjetur 22 gëzhoja të kalibrit 7.62 milimetra, të cilat në fillim u dyshuan të kishin dalë nga një armë e sofistifikuar, por që pas provës balestike rezulton të jenë të shtëna nga një automatik “Kallashnikov” M-56. Grupi hetimor ka gjetur shënja gishtërinjsh në pjesën e poshtme të autoveturës, të cilat nga ekspertiza e Laboratorit Qendror të Kriminalistikës del se nuk janë të pronarit të Bencit të sulmuar.


Në akt-ekspertizë mësohet se janë gjetur gjurmë këmbësh dhe një pik gjaku në afërsi të banesës së Bregut, pasi dyshohet që ai të jetë plagosur nga një plumb rikoshet, të cilat gjithashtu janë analizuar.


Në këtë dosje hetimore Zarif Begu akuzohet për “vrasje me paramendim e mbetur në tentativë”, “armëmbajtje pa leje”, dhe “shkatërrim të pronës me mjete të tjera”, akuza të parashikuara në nenet 78/2, 22, 278/2 dhe 15/2 të Kodit Penal.


Dosja 1997


Zarif Bregu po hetohet për një dosje tjetër speciale nga organi i akuzës, për krimet e kryera prej tij gjatë vitit 1997. Dosja “Bregu” është një nga 109 dosje të tilla të vjetra që duket se policia e krimeve të rënda ka filluar t’i lëvizi nga pluhuri i harresës, duke vënë në lëvizje deri tani 14 të tilla, nga policia, të cilat janë vënë në dispozicion organit të prokurorisë të Beratit.


Sipas burimeve të prokurorisë së rrethit të Beratit, mësohet se gjatë këtyre hetimeve është arritur të sigurohen mjaft prova dhe dëshmi të reja, që implikoj dhe akuzojnë direkt Zarif Bregun në krimin e vrasjes, vënie gjobash dhe tjetërsim objekti (shtëpi). Për krimin e vrasjes, të njëjta burime, bëjnë të ditur se Bregu dyshohet të jetë i implikuar në ngjarje të tilla gjatë vitit 1997, por numri dhe emrat e viktimave nuk bëhen të ditur për arsye hetimi.


Disa nga këto akuza në 6-mujorin e dytë të vitit 1998, nuk janë pranuar dhe mungesa e këtyre dëshmitarëve ka bërë që Zarif Bregu të lirohet nga Gjykata e Shkallës së Parë e Fierit për mungesë provash.


Sipas këtyre burimeve mësohet se Bregu vazhdon të jetë i lirë dhe person i rrezikshëm.


Dosja e 2004 në gjykatë


“Gjykim në mungesë për Zarif Bregun”


Pas shpalljes në kërkim dhe mosgjetjes së vendndodhjes së Zarif Bregut, Gjykata e Shkallës së Parë e Beratit nxori vendimin e “mosgjetjes”, dhe në datën 04.02.2005, ka nisur gjykimin e tij në mungesë, lidhur me akuzat e ngjarjes së 26 tetor të vitit që shkoi në Urën Vajgurore.


Dy ditë më parë ka qenë seanca e parë gjyqësore, me të cilën trupi gjykues, i kryesuar nga Edlira Pietri, ka pranuar listën për thirrjen e dëshmitarëve, ndërsa është në pritje të një avokati tjetër, që do të përfaqësojë Bregun, pas dorëheqjes së atij të mëparshmi.


Për seancën e parë, prokurorja Ermonela Felaj ka pranuar një tjetër avokat të përkohshëm, ndërkohë trupi gjykues ka shtyrë seancën e radhës për një ditë tjetër.


Ngjarja/ 26 tetor 2004


Autori Zarif Bregu, motivi konkurrenca


Atentat pronarit të karburantit, i dogjën “Benzin” dhe e plagosën


BERAT – Rreth orës 20.30, të datës 26 tetor 2004, ka ndodhur një atentat ndaj 35-vjeçarit Bardhi Ruçi. Spo pronari Ruçi kishte përfunduar punën dhe është nisur për në shtëpi rreth 100 m në kthesën që të çon për në lagjen “Guri i Bardhë”, ku edhe ai banonte, persona të cilët mendohet se kishin qenë të fshehur poshtë urës mbi lumin Osum, qëlluan me breshëri, duke derdhur 22 plumba kallashnikovi në drejtim të pronarit, i cili udhëtonte me makinën tip “Benz” me ngjyrë të zezë, me targa TR 9669 F. Për pasojë makina ka marrë flakë menjëherë.


Kur panë se makina iku mes flakëve, personat që i bënë atentat Ruçit, u larguan nga vendi i ngjarjes.


Më pas, Ruçi zbriti menjëherë nga makina dhe ashtu i plagosur rëndë dhe i mbuluar me gjak është larguar rreth 100 m, duke kërkuar e thirrur disa herë për ndihmë. Në këto momente, kur i plagosuri kërkonte ndihmë, para syve të tij ka shpërthyer makina në flakë.


Sipas policisë mësohet se viktima Ruçi deklaroi para grupit të ekspertëve edhe personat e dyshuar, që mendonte se i kanë bërë atentat. Ruçi, sipas policisë, pohoi se dyshonte te shtetasi Zarif Bregu, banor i lagjes “Guri i Bradhë” të qytetit të Urës Vajgurore.


Pas verifikimeve, policia ka pohuar se personi i dyshuar për këtë ngjarje është shtetasi Zarif Bregu, i cili është shpallur në kërkim.


Në lidhje me motivin e kësaj ngjarjeje, dyshohet se atentati ka ndodhur për motive pronësie dhe konkurrence. Në lidhje me këtë motiv, burime të policisë sqarojnë se kjo ka ardhur pasi dy karburantet e fisit Ruçi dhe Bregu ndodhen afër njëri-tjetrit në qytezën e Urës Vajgurore.


Komunikata për shtyp/ 12.06.2001


Zarifi rreh inspektorin e qarkullimit


Në datën 12.06.2001, ora 11.00, u arrestua shtetasi Zarif Ferit Bregu, 27 vjeç, lindur e banues në Ura Vajgurore, i dënuar një herë për rrahje, me punë shofer, sepse më datën 11.06.2001, ora 19.30, ka refuzuar kontrollin e dokumenteve dhe ka kundërshtuar, goditur me grushta, në krye të detyrës inspektorin e qarkullimit rrugor.