I shtrirë në disa qytete të Shqipërisë dhe në bashkëpunim me persona të tjerë në Greqi, grupi që falsifikonte dokumente dhe trafikonte në mënyrë të paligjshme klandestinë kishte klientë edhe në Lindjen e Mesme dhe Kinë.


Ndërkohë që 32 personat e vënë nën masë sigurimi nga Krimet e Rënda dalin sot para Gjykatës për vlerësimin e masës, në dosjen e Prokurorisë shpjegohet se si funksiononte grupi, i cili është pjesë e të njëjtit rrjet që u godit në pranverën e vitit 2018, ndërsa aktiviteti i tyre është i shtrirë në kohë dhe hapësirë.


Në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, këta shtetas gjejnë persona të ndryshëm që kanë interes për tu larguar, shtetas të huaj dhe shqiptarë, të cilët pasi i pajisnin me dokumente identifikimi të falsifikuara, kundrejt përfitimit monetar, i nisnin në mënyrë të paligjshme drejt SHBA-ve, Kanadasë, Mbretërisë së Bashkuar dhe disa vendeve të tjera, shkruhet në dosje.


Bazuar në hetimet e kryera nga Prokuroria për Krime të Rënda, nisja bëhej me linjat e udhëtimit me mjete të ndryshme dhe me linja ajrore. Nisja e personave me dokumente të falsifikuara bëhej nga Republika e Shqipërisë, Mali i Zi, Italia, Greqia, Franca dhe Norvegjia. Ndërsa në funksion të këtij hetimi, janë dokumentuar disa episode ku personat e mësipërm kanë falsifikuar dokumente të udhëtimit dhe kanë dhënë ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit të disa shtetasve.


Në dosje thuhet se anëtarët e këtij grupi kriminal, për këtë aktivitet të paligjshëm, merrnin në këmbim nga personat e trafikuar shuma të konsiderueshme të vlerave monetare që varionin deri në 20 mijë euro për person.


PROKURORIA


Prokuroria për Krime të Rënda në hetimet për këtë grup nuk ka qenë e vetme, ndërsa pjesë aktive kanë qenë edhe agjenci të huaja amerikane dhe jo vetëm. Kjoa pasi në vende të ndryshme në botë, janë kapur persona me mjete false identifikimi të prodhuara nga laboratorët në Shqipëri. Gjithashtu, nga të dhënat e administruara ka rezultuar se anëtarët e këtij grupi kriminal pajisnin shtetas të huaj, kryesisht nga Lindja e Mesme dhe Kina dhe më pas i trafikonin drejt vendeve të BE-së, Mbretërisë së Bashkuar, SHBA-ve dhe Kanadasë, shkruhet në dosje.


RASTET E PËRGJUARA


Nga hetimet ka rezultuar se shtetasi Albert Xhelili ka bashkëpunuar me shtetasin Florjan Hyseni. Në bisedën mes tyre, më datë 15.02.2018 rezulton se shtetasi Florjan Hyseni vjen në Tiranë dhe i kërkon ndihmë Albertit për ti përgatitur një pasaportë të falsifikuar, me emër të një shtetasi italian C.A dhe me fotografi të një vajze nga Shkodra, e cila donte të shkonte në SHBA. Në datën 17.02.2018 shtetasi Albert Xhelili i ka dorëzuar pasaportën dhe të gjitha dokumentet e falsifikuara, të cilat Florjan Hyseni i kishte porositur dy ditë më parë. Pasi kanë pirë një kafe afër vendit të njohur si Zogu i Zi, ka ikur në këmbë te stacioni i autobusëve dhe është nisur për në Shkodër.


Gjatë rrugës për në Shkodër, shërbimet e Policisë e kanë ndaluar autobusin, duke kryer një kontroll të imtësishëm të këtij shtetasi dhe ka rezultuar se në xhep kishte pasaportën në emër të shtetases italiane dhe një letër të bardhë me të dhënat që përkonin me pasaportën. Pas kontrollit, ai është lënë i lirë së bashku me pasaportën dhe dokumentet e falsifikuara, të cilat i mbante në xhep. Nga të dhënat e marra nga agjencitë ligjzbatuese, ka rezultuar se një shtetase shqiptare nga Shkodra është ndaluar në një aeroport ndërkombëtar, duke ikur për në SHBA me pasaportën e falsifikuar. I njëjti mekanizëm është përdorur edhe në lidhje me falsifikimin e një pasaporte për një tjetër vajzë, e cila do shkonte te i fejuari i saj në Kanada.


Sapo ka marrë pasaportën e falsifikuar me foton e saj dhe me të dhënat e një shtetaseje të huaj, konkretisht shtetase amerikane, ka ikur e shoqëruar nga babai i saj në aeroportin e Podgoricës në Malin e Zi dhe pasi shkon në një nga aeroportet ndërkombëtare, e kthejnë sërish në Malin e Zi si e depërtuar. Aty merret sërish nga babai me makinë dhe në kthim në rrugën automobilistike të Hanit të Hotit Shkodër kanë bërë aksident automobilistik. Në një nga përgjimet ambientale, është konstatuar se nga takimet e dy personave Arben Kadiu dhe Florjan Hysenaj, ky i fundit ka marrë nga Kadiu dy pasaporta dhe më pas kanë numëruar një sasi të konsiderueshme parash.


Një rast tjetër të falsifikimit të dokumenteve të përshkruara në dosje është ajo e një shtetasi shqiptar, i cili jetonte në Itali. Nga biseda e përgjuar, ka rezultuar se shtetasi Shkëlqim Mema, i arrestuar në maj, i ka përgatitur dhe i ka dhënë kunatit të shtetasit A.K një dokument të falsifikuar të cilin e kishte dërguar A.K në Itali. Për këtë punë, A.K i ka nisur Shkëlqim Memës një shumë prej 200 eurosh, të tërhequra pranë një institucioni financiar.


TË NDALUARIT NË XHAMAJKË


Gjatë hetimit të procedimit penal, rezulton se shtetasja shqiptare R.H. është kapur në flagrancë në Xhamajkë, duke udhëtuar për në Toronto me Air Canada me pasaportë amerikane të falsifikuar në emër të shtetases amerikane Isabelle Gutiere. Gjithashtu, një tjetër shtetas shqiptar me inicialet L.S. është ndaluar në Xhamajkë, duke udhëtuar në Toronto me pasaportë amerikane të falsifikuar në emër të shtetasit Mark Johnson.


BASHKËPUNIMI ME GRUPIN NË GREQI


Ndërkohë, gjatë hetimit të këtij procedimi penal në bashkëpunim me organet e tjera ligjzbatuese janë marrë të dhëna për faktin se pjesëtarë të tjerë të këtij grupi kriminal e kryenin këtë aktivitet edhe në shtetin grek, ku autoritetet policore greke kanë arritur të bëjnë arrestimin e 16 personave si anëtarë të këtij grupi kriminal, si dhe janë sekuestruar gjashtë laboratorë prodhimi dokumentesh të falsifikuara. Nga këto biseda telefonike rezultojnë të dhëna se shtetasi Alfred Myrtaj bashkëpunon me pjesëtarë të tjerë të këtij grupi kriminal në shtetin grek, lidhje e të cilëve është edhe Gentian Stojku.


 


SEKUESTRIMI


Gjatë operacionit të zhvilluar ditën e shtunë, u zbuluan dhe sekuestruan 4 laboratorë në Shqipëri që shërbenin për falsifikimin e dokumenteve, pajisje të ndryshme, si skaner, fotokopje, një sasi e madhe parash kesh, certifikata, karta identiteti, një numër i konsiderueshëm dokumentesh të personave si dhe një armë zjarri automatik. Ndërkohë, në muajin maj u sekuestruan edhe 2 laboratorë të tjerë të prodhimit të dokumenteve të falsifikuara. Ndërsa në operacionin e parë, atë të muajit mars, gjithashtu u sekuestruan laboratorë dhe mjete që janë përdorur nga grupet, si 10 njësi qendrore (kompjuteri), 8 printerë laser me ngjyra, 15 laptopë, 3 I-padë, 56 aparate telefonash, 17 automjete, 5600 euro, 1000 $ dhe 3 400 000 lekë, 5 pasaporta ndërkombëtare shqiptare dhe sasi dokumentesh të ndryshme, si pasaporta e karta ID të kombësive të ndryshme, vula dhe elementë stampimi.


PERGJIMET


Përpos vëzhgimeve ambientale dhe provave materiale të gjetura në laboratorët që përdoreshin nga personat e implikuar, Prokuroria për Krime të Rënda si prova ka edhe përgjimet telefonike, ku dëgjohen biseda të ndryshme për porositjen e pasaportave false dhe gjetjen e personave të interesuar. Një bisedë e zbardhur është ajo e datës 26 shtatori 2018, ku i dyshuari Simon Kerri, flet me një person në lidhje me dërgimin e disa personave në Angli.


279: E mirë, po, o ta bëj ose ka mënyra për të ikur dhe andej, o të bëhet këto ditë shpejt. Kam njerëz që kanë ikur si puna e Bertit dhe kam gjetur jërin që çon andej unë dhe iki.


Keri: Ku, që çon nAngli, andeja?


279: E.


Keri: Po mthoj mua se kam una nja katër a pes veta bullgarë.


279: Po mirë tbëjnë lekët gati ata e ti çoj.


Keri: Po mir, nrregull, mthoj mua ti sa lek duan ata edhe


279: Për ata, dymbëdhjet.


Keri: ë?


279: Po ja, të flasim, të them unë.


TË HETUARIT


Dritan Gramozi 45 vjeç nga Delvina


Arjan Shehu 46 vjeç nga Tepelena


Simon Këri 60 vjeç nga Berati


Rezart Hoxha 43 vjeç nga Gjirokastra


Dashamir Seferi 35 vjeç nga Tepelena


Leonard Merkaj 61 vjeç nga Përmeti


Astrit Ziguri 48 vjeç nga Delvina


Edmond Omeri 52 vjeç nga Saranda


Kostaq Gjoka 52 vjeç nga Korça


Arben Dangalli 54 vjeç nga Korça


Petrit Beqiraj 59 vjeç nga Vlora


Glej Edison Shehu 32 vjeç nga Tepelena


Zamira Roza Xhafaj 57 vjeç nga Fieri


Bedri Meta 52 vjeç nga Kruja


Aleksia Kamaj 35 vjeç nga Fieri


Gjergj Mëzuraj 46 vjeç nga Vlora


Shuaip Shero 65 vjeç nga Saranda


Afrim Emini 47 vjeç nga Saranda


Ermal Mema 31 vjeç nga Fieri


Avni Lezaj 52 vjeç nga Kruja


Ilia Margo 59 vjeç nga Gjirokastra


Sefer Çela 55 vjeç nga Gjirokastra


Janaq Gramozi 69 vjeç nga Saranda


Mentor Meci 31 vjeç nga Kukësi


Dashnor Tafani 50 vjeç nga Elbasani


Françesk Meta 23 vjeç nga Elbasani


Enver Muka 56 vjeç nga Fieri


Besnik Hoxha 35 vjeç nga Berati


Çajup Tefa 48 vjeç nga Gjirokastra


Vejsel Gjolleshi 50 vjeç nga Gjirokastra


Merlen Shoshaj 46 vjeç nga Gjirokastra


Vangjel Gramozi 54 vjeç nga Përmeti


Idi Mita 35 vjeç nga Tirana


Mehmet Cani 48 vjeç nga Elbasani


Erlisa Manxhar Shehu 36 vjeç nga Tepelena


Elmas Bilbili 28 vjeç nga Tepelena (polic)/ Panorama