Është zbardhur programi i plotë i qeverisë Rama 2 për mandatin 2017-2021.


Në program, bëhet një përmbledhje e mandatit që sapo kaloi (2013-2017) ku shkruhet: Mandati 2013-2017 ishte mandati i jetëzimit të një ndryshimi të thellë, rrënjësor e të gjithanshëm, për të cilin qytetarët shqiptarë, njerëzit e zakonshëm të këtij vendi, na dhanë besimin e plotë dhe njëkohësisht edhe përgjegjësinë për ta thelluar më tej dhe për ta materializuar në politika konkrete edhe të prekshme, në çdo ditë të qeverisjes sonë.



Në program flitet për ndryshimet që pritet të sjellë qeveria në sektorë të ndryshëm si ekonomia, drejtësia, shëndetësia, turizmi e deri tek politikat e jashtme dhe integrimi europian.


Në programin 28-faqësh në fushën e drejtësisë Qeveria në 4 vitet e ardhshme do të fokusohet në këto shtylla kryesore:



  • Jetësimi i reformës në drejtësi, nëpërmjet ofrimit të gjithë mbështetjes së nevojshme të realizimit të procesit të vetting-ut me sukses, si dhe në procesin e ngritjes së institucioneve të reja qeverisëse dhe drejtuese të gjyqësorit dhe të prokurorisë, të domosdoshme për zbatimin e reformës në drejtësi.

  • Reformë në sistemin e hartimit të legjislacionit dhe në tërësi sistemin e kodifikimit. Do të përmirësohen kapacitetet njerëzore dhe profesionale të këtij sistemi, duke ndryshuar më së pari mënyrën e rekrutimit të personelit përbërës të këtij sistemi.

  • Reforma tërësore e shërbimeve publike që lidhen me drejtësinë për titujt e pronësisë duke përfshirë regjistrimin e tyre dhe kthimin dhe kompensimin e pronave

  • Reforma e shërbimeve publike të ofruara nga profesionet e lira, (noteria, avokatia, ndërmjetësimi) do të synojë shërbime ligjore, sa më cilësore dhe profesionale për qytetarët.


Në kapitullin e Arsimit, Rinisë dhe Sportit, në programin e qeverisë shkruhet: Pas reformave të rëndësishme në arsim që u kryen në mandatin e parë, në këtë mandat të dytë, qeveria angazhohet të punojë për një sistem arsimor efiçent, i cili krijon mundësi të barabarta për shkollim cilësor të të gjithë fëmijëve, pavarësisht origjinës, gjinisë, vendbanimit dhe të ardhurave, duke siguruar një forcë pjesëmarrëse dhe të përgjegjshme, në tregun e punës dhe në shoqëri.



Një pjesë të rëndësishme në programin e mandatit të dytë të Ramës e zë edhe integrimi i sistemit të transportit.


Pas miratimit të Planit Kombëtar për Integrimin Europian 2017 2020, objektivi kryesor i qeverisë shqiptare vazhdon të mbetet përshpejtimi i integrimit të sistemit të transportit, si një parakusht për zhvillimin e sektorëve të tjerë të ekonomisë, shkruhet në kapitullin e Infrastrukturës në program.



Qeveria Rama 2 shkruan në program se shëndetësia do të vazhdojë të jetë një nga sektorët ku do të punohet më shumë: Nën moton shëndet për të gjithë ne do të vazhdojmë të promovojmë jetën e shëndetshme, duke rritur investimet në të gjithë sektorët që lidhen me shëndetin për të shkuar kështu drejt shëndetësisë falas. Nën moton më shumë vite jetës dhe më shumë shëndet viteve ne do të vijojmë të mbështesim fort parandalimin dhe diagnostikimin.