Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zbogar, ka deklarua se interesat politike dhe njëkohësisht luftërat politike po i zëvendësojnë interesat kombëtare.

"Paaftësia e elitës politike në Kosovë për të arritur pajtueshmëri për interesin strategjik kombëtar dhe një marrëveshje për interesat strategjike kombëtare, e pengon procesin e integrimeve evropiane", ka thënë në një në intervistën për Radio Evropa e Lirë, Zbogar, i cili së shpejti largohet nga posti që e mbajti pesë vjet në Kosovë.

Duke iu referuar demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, ai kujtoi se ky ishte kusht i vënë nga BE-ja që prej vitit 2012 dhe se politikanët në Kosovë kanë qenë në dijeni të tij që prej atëherë.

Ai ka thënë se përgjegjësia për ratifikimin e kësaj marrëveshjeje bie mbi politikanët e Kosovës dhe ka shfaqur shpresën deri më 1 shtator "deputetët do të binden për ta votuar atë".

Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së, Samuel Zbogar, tha se "Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk mund t'i imponohet asnjërës palë dhe se për këtë duhet të gjejnë zgjidhje që do të funksionojë".

Ai tha se dialogu dhe normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë "kusht për hapat e mëtejmë të Prishtinës e Beogradit në marrëdhëniet me BE-në".

Në intervistën për REL, Përfaqësuesi i Posaçëm i BE, Samuel Zbogar tha se normalizimi i marrëdhënieve duhet të shihet si interes kombëtar në Prishtinë dhe lidershipi në vend duhet të arrijë një konsensus për rrugëtimin e mëtejmë.