Javën që vjen nis punën komisioni kuvendor
Halimi: Hetim çdo aspekti zgjedhor




Komisioni parlamentar i sapovotuar nga Kuvendi do të ketë objekt të hetimit të gjitha çështjet, ndaj të cilave socialistët pretendojnë se janë shënuar shkelje të rënda, përveç atyre që kanë të bëjnë me vendimin e gjykatave, apo ndaj të cilave është regjistruar më parë kallëzim penal në Prokurori. Komisioni parlamentar, që do të hetojë zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit, javën që vjen do të përcaktojë planin e hetimit. Edhe nëse opozita do të lërë vendet bosh, përfaqësuesit e mazhorancës do të procedojnë me zhvillimin e mbledhjeve të komisionit. Këtë e bëri dje të ditur deputeti demokrat, Eduard Halimi, anëtar në këtë komision. Sipas tij, mazhoranca do të kryejë transparencën e zgjedhjeve brenda kornizës kushtetuese, siç edhe kërkojnë ndërkombëtarët. "Javën që vjen do të fillojmë punën e komisionit, sepse komisioni sigurisht ka një axhendë, funksionon mbi bazën e rregullave të këtij shteti. Komisioni do të mblidhet, sigurisht që të gjithë deputetët janë të mirëpritur, siç janë të mirëpritur në Parlament, do të jenë të mirëpritur edhe në komisionin hetimor dhe që do vazhdojë me përcaktimin e planit të hetimit, e provave që do të merren, me përcaktimin e procedurave të tjera hetimore që do ketë komisioni, një komision që do të ketë një afat normal, - theksoi z. Halimi. Sepse, - shtoi ai, - dispozitat e projektligjit që përcaktonin tre muaj apo dy vjet nuk u kaluan, por do të bazohemi në ligjin aktual i cili do tia lërë në dorë Kuvendit përcaktimin e afatit të komisionit. Ngritja e komisionit hetimor parlamentar për transparencën e procesit elektoral të 28 qershorit, që u votua në seancën plenare të së premtes vetëm me votat e mazhorancës, pritet të nisë nga puna javën që vjen. Sipas deputetit demokrat, Eduard Halimi, objekti i hetimit do të prekë të gjitha çështjet që nuk cenojnë Kushtetutën. Hetim për akuzat dhe dyshimet publike të ngritura nga partitë dhe vëzhguesit, lidhur me zbatimin e legjislacionit, hetimin e KQZ-së në lidhje me përdorimin e teknologjisë në procesin e monitorimit të numërimit të votave, hetim për largimin transferim të punonjësve të administratës, përdorimi i mjeteve publike në favor e subjekteve elektorale, - u shpreh anëtari i këtij komisioni, Eduard Halimi. Për demokratët, transparenca e plotë e zgjedhjeve do të vijojë pavarësisht tërheqjes së socialistëve nga nisma e tyre ligjore për hetim të plotë të procesit elektoral të 28 qershorit. Komisioni hetimor do të ketë në përbërje të tij 15 deputetë, mes të cilëve 8 i takojnë mazhorancës dhe 7, përfshi këtu kryetarin, që i takon opozitës. Ndryshe nga nisma e socialistëve, ku kërkohej që komisioni të ushtronte veprimtarinë e tij për një afat 24-mujor, me votat e mazhorancës në seancë maratonë të së premtes u vendos që të reduktohej në tre muaj afati i ushtrimit të veprimtarisë së tij.