Prestigjozja franceze France Football ka zbuluar se Reali i Madridit po bën gati një ofertë prej 280 milionë eurosh, për të marrë yllin e PSG-së Kylian Mbappe në merkaton e verës.


I rikthyer vetëm para pak ditësh në stolin e Realit të Madridit, Zinedine Zidane ka zgjedhur pikërisht sulmuesin francez si boshtin rreth të cilit do të rrotullohet manovra sulmuese e skuadrës.


Pikërisht Kylian Mbappe është emri të cilin Zidane e ka vënë në krye të listës së dëshirave dhe kërkon që ai të jetë përforcimi i parë i skuadrës për sezonin e ri.


Sipas France Football, negociatat pritet të hapen në ditët në vijim dhe me shumë gjasë do të shndërrohen në telenovelën e pranverës, apo ndoshta edhe të verës.


Dy vite më parë, Reali kërkoi të merrte Mbappenë nga Monaco, por francezi zgjodhi të ishte pjesë e PSG-së, që vetëm pak ditë më parë kishte marrë edhe Neymarin nga Barcelona.


Tashmë Perez do të kthehet në Francë për të marrë Mbappenë dhe sipas mediave, do të shfrytëzojë pengesat financiare të PSG-së, për të arritur qëllimin e tij.