Zbulohet shkaku i shpërthimit të fabrikës së demontimit të predhave e municioneve në Gërdec.

Trazhgim Sokolaj

 Prokuroria tani ka një ide të qartë për shkakun e tragjedisë dhe mënyrën si ka ndodhur ajo. Mekanizmi i shpërthimit tragjik, deri pak ditë më parë mister, është zbuluar pas një pune këmbëngulëse dhe të kujdesshme të gjashtë agjentëve amerikanë të Byrosë ATF dhe grupit hetimor shqiptar me oficerë të policisë dhe ushtrisë, të kryesuar nga prokurori Arben Dollapi. Në fakt, Prokuroria e Përgjithshme nuk dëshiron të bëjë publike asgjë rreth hetimeve për tragjedinë e Gërdecit pavarësisht interesit të madh publik rreth kësaj ngjarje. Gjithsesi, gazeta “Panorama”, mësoi nga burime të konfirmuara se, hetimi për shkakun e shpërthimit dhe atë çfarë ka ndodhur në fabrikën e vdekjes, ka përparuar deri atje, sa të përcaktohet shkaku i shpërthimit dhe mekanizmi si ka ndodhur ai. Dhe siç ndodh shpesh në ngjarjet e mëdha tragjike, edhe në rastin e Gërdecit, mënyra si është gatuar shpërthimi, është gati e pabesueshme. Shkaku i shpërthimit ka qenë një nga katër karrocat që përdoreshin për transportimin e barutit, nga brenda punishtes së çmontimit në dalje të saj. Kjo karrocë e verifikuar mirë nga agjentët amerikanë edhe sot, ka shenja saldimi në pjesën ku ishte dëmtuar ditën e tragjedisë. Ngjarja e Gërdecit ka filluar pikërisht me thyerjen e karrocës metalike, të cilën drejtuesit e fabrikës dhe përgjegjësit e punëve në Gërdec, kanë vendosur ta saldojnë brenda ambientit të çmontimit, mes barutit e predhave të shpërhapura ngado. Sipas burimeve të konfirmuara, ky është një version i mbështetur nga Prokuroria shqiptare, por edhe nga gjashtë agjentët amerikanë, që hetuan për një javë tragjedinë e Gërdecit. Eshtë provuar se, origjina e shpërthimit ka qenë 10 metra larg portës hyrëse të fabrikës së çmontimit. Pikërisht në atë vend po saldohej karroca, kazani metalik i së cilës ishte shkëputur nga skeleti mbajtës i saj. Shkëndijat e shkaktuara gjatë saldimit i kanë dhënë flakë një grumbulli me barut që ndodhej fare pranë, ndoshta ngarkesa që ishte në karrocë në momentin që ajo është dëmtuar. Dëshmitarët thonë se karrocat mbingarkoheshin me barut në mënyrë që gjithçka të kryhej sa më shpejt. Grumbulli me barut i cili ka marrë flakë, ka ndezur gjithë shtresën e barutit që ishte lënë përtokë. Shpërndarja e flakëve në pak kohë, është bërë shkak për aktivizimin e predhave që ndodheshin gjithashtu përtokë mbi barut. Disa prej tyre, kanë goditur kontejnerët e mbushur me barutin e dalë nga demontimi. Kontejnerët ndodheshin në krahun e djathtë të portës hyrëse të punishtes së çmontimit. Predhat kanë ndezur barutin e depozituar në kontejnerë, një sasi 500-600 tonë. Kjo sasi baruti e aktivizuar në tre kohë, sipas pozicionit ku ndodheshin kontejnerët ka shkaktuar tri shpërthimet katastrofike që lanë pas një krater 18 hektarë dhe një vatër shpërthimi me përmasa 3.5 kilometër katror si dhe 26 të vrarë, 300 të plagosur dhe mbi 4 mijë shtëpi të shkatërruara.


Dëmshpërblimi, punëtorët e fabrikës dhe banorët e Gërdecit dalin në protestë          

VORE – Për të tretën ditë radhazi, punëtorët e ish-fabrikës së çmontimit të predhave e municioneve në Gërdec dolën dje në protestë, duke kërkuar dëmshpërblim për dëmet që u janë shkaktuar nga tragjedia e 15 marsit. Dje, protestës së punëtorëve të fabrikës i janë bashkuar edhe dhjetëra banorë të Gërdecit shtëpitë dhe pronat e të cilëve u shkatërruan si pasojë e shpërthimit tragjik. Punëtorët thonë se kanë nënshkruar sigurimet shoqërore, të cilat nuk ishin deklaruar në shtet nga firma private e Mihal Delijorgjit, “Alba Demil”. Në këto kushte ata kërkojnë një zgjidhje nga autoritetet shtetërore. Ndërkaq banorët e Gërdecit, janë të pa kënaqur me masën e dëmshpërblimit financiar, që u është shpërndarë në formë kompensimi për dëmet, që u janë shkaktuar nga ngjarja e ndodhur mesditën e 15 marsit. Punëtorët e fabrikës dhe banorët e Gërdecit u shprehën dje se, takimet me Presidentin e vendit dhe me zyrtarët e tjerë për zgjidhjen e problemeve të tyre deri më tani, nuk kanë qenë të efektshme.