Më shumë se një vit më parë, zv.drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Agron Kuliçaj ka firmosur një shkresë për Gjykatën e Krimeve të Rënda, të shkallës së Parë dhe Prokurorisë së Krimeve të rënda, ku i kërkon që në gjykimin e shtetasit Dritan Dajti, i akuzuar nga policia për vrasjen e 4 policëve në gushtin e vitit 2009, të mos kishte jo vetëm prezencë të medias, por as të familjarëve të viktimave apo edhe të të pandehurve.
Një qëndrim i dyshimtë që tregon frikën e kryepolicit për të vërtetat që mund të dilnin nga zhvillimet e procesit. Sipas një kabllogrami të ambasadës së SHBA, Kuliçaj ishte njeriu që akuzohej nga zyrtarët e policisë si dekonspirues i operacioneve për arrestimin e Dritan Dajtit.
Gazeta “Shqiptarja.com”, disponon letrën e cila në fakt nuk është firmosur nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, por nga zëvendësi i tij, Agron Kuliçaj. Letra mban datën 12 tetor 2010, me numër protokolli 3449, dhe i është dërguar gjykatës dhe prokurorisë.
Ajo është publikuar në kryeartikullin e sotëm të gazetës Shqiptarja.com të gazetarit Poli Hoxha.
Procesi gjyqësor ndaj Dritan Dajti vazhdon në Gjykatën e Krimeve të Rënda në Tiranë. Ai akuzohet për 7 vepra penale. Nëse do të shpallet fajtor, do të dënohet për vrasjen e 5 personave veç e veç, katër prej të cilëve oficerë policie, falsifikim dokumentesh dhe armëmbajtje pa leje.