Ornela Caci

Shpesh lexojmë, publikojmë apo ekzaltojmë arritjet dhe karrierat e diplomateve të huaj. Ata nuk ngurrojmë edhe t'i dekorojmë, si shenjë e mirënjohjes për çfarë kanë bërë ndaj nesh, madje edhe t'i venerojmë e adhurojmë shpesh më shumë sesa e meritojnë. Kjo na pengon të shohim sesi në shtëpinë tonë, këtu në Shqipëri, është rritur një brez diplomatësh, të cilët kanë krijuar profilin, formatin dhe përvojën e tyre shumëvjeçare në punët e diplomacisë. Ambasadori ynë në Londër Zef Mazi, është ndoshta shembulli perfekt për të pasqyruar nivelin profesional, integritetin dhe mprehtësinë në profesionin që ushtron prej më shumë se njëzet vjetësh tashmë, si përfaqësues dinjitoz i shtetit shqiptar.
Rasti i Mazit është ai i një diplomati që ka njohur afirmimin personal në shërbimin e jashtëm shqiptar qysh herët. Ai ka një karrierë solide, tashmë 31-vjeçare në shërbimin civil, dhe gati një çerek shekulli në marrëdhëniet ndërkombëtare e me jashtë në vijimësi.
Fillimet e karrierës
Ashtu si për shumë diplomatë të tjerë në Shqipëri, karriera e Zef Mazit lidhet me një formim fillestar në fushën e gjuhës së huaj. Anglishtja perfekte e mësuar në bankat e shkollave shqipe do të habiste më vonë mjaft diplomatë të huaj. Ne vitin 1977 ai kreu studimet e larta për gjuhë të huaja dhe gjuhë shqipe në Universitetin e Tiranës. Po atë vit, ai fillon punë në shtëpinë botuese "8 Nëntori". Ai punoi për 8 vjet radhazi si përkthyes në Redaksinë e Botimeve në Gjuhë të Huaja. Paralelisht me këtë, ai është përkthyesi dhe folësi shqiptar i Radio Tiranës në gjuhën angleze. Pas këtij aktiviteti intensiv, në vitin 1989 ai transferohet me detyrë të plotë në Ministrinë e Punëve të Jashtme, në Drejtorinë e Marrëdhënieve Shumëpalëshe, i ngarkuar me dosjen e KSBE-së (sot OSBE). Ka qenë një detyrë e re jo vetëm për të, por edhe për vetë diplomacinë tonë, pasi kjo organizatë ishte ndër dritaret e para që vendi ynë hapte, në rrugën e ndrojtur drejt afrimit me bashkësinë e vendeve të tjera. Zef Mazi i ri e shfrytëzoi mjaft mirë këtë mundësi që iu dha. Ai u përfshi sidomos edhe në shoqërimin e delegacioneve të para të huaja që po shkelnin në vendin tonë, si ato të Kongresit Amerikan, njeri i kryesuar nga Kongresmeni Tom Lantos, dhe i dyti nga bashkëkryetari i Komisionit të Helsinkit të Kongresit, De Consini, i sekretarit të Përgjithshëm të OKB, Perez de Quellar, i kryetarit të Asamblesë të Përgjithshme të OKB, Guido de Marco, i përfaqësuesve të lartë të OKB, që u dërguan për të zgjidhur krizën e ambasadave në korrik 1990, kryesuar nga Stefan De Mistura, apo delegacioni i sekretarit të Shtetit Amerikan, Xhejms Bejker, e shumë të tjerë. Në shtator të vitit 1990, Z. Mazi caktohet anëtar i delegacionit qeveritar shqiptar ne Sesionin e 45 të Asamblesë të Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork.
Një jetë në OSBE
Pas kurorëzimit me sukses të punës dhe rolit të tij direkt në këto aktivitete mjaft të rëndësishme për Shqipërinë, Z. Mazi emërohet në shtator 1991 si ministër-këshilltar, i ngarkuar me punë në ambasadën shqiptare në Austri dhe Zvicër. Zef Mazi caktohet paralelisht kryetar i Delegacionit të Shqipërisë në KSBE në Vjenë, dhe i ngarkuar përfaqësues i përhershëm, kryetar i Misionit të RSH, në OKB, IAEA, UNIDO dhe organizata të tjera ndërkombëtare në Vjenë. Z. Mazi e ushtron funksionin e ambasadorit, përfaqësues i përhershëm dhe kryetar i Misionit të RSH pranë organizatave ndërkombëtare në Vjenë deri në fund të vitit 1997.
Në vitin 2000 Z. Mazi kalon në Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike në Vjenë, në Departamentin e Bashkëpunimit Teknik, Divizioni i Evropës, Amerikës Latine dhe i Azisë Perëndimore (këshilltar në zyrën e drejtorit) dhe në sektorin e Evropës. Ai kryen një numër detyrash, më kryesorja e të cilave ka qenë përgatitja e dokumentacioneve për të negociuar dhe finalizuar politikat programin afatmesëm të bashkëpunimit dhe asistencës teknike në fushën e energjisë bërthamore midis qeverive të shteteve anëtare dhe asaj agjencie. Z. Mazi është dërguar në 25 misione në vende anëtare të Agjencisë Bërthamore, që nga Kaukazi deri në Amerikën Qendrore dhe Latine, për të zhvilluar bisedime me qeveritë e këtyre vendeve.
Rikthimi
Pas kësaj eksperience 5-vjeçare në stafet e organizatave ndërkombëtare, në vitin 2002, Z. Mazi propozohet kandidat për President të Republikës. Në gazetat e kohës nuk është e vështirë të gjendet emri i tij, mes shumë kandidaturave që në atë moment u hodhën në tryezën e bisedimeve Nano-Berisha. Pas këtij momenti, duke iu përgjigjur kërkesës së ish-kryeministrit F. Nano, Z. Mazi rikthehet në shërbimin diplomatik të vendit të tij, si ambasador, përfaqësues i përhershëm i RSH pranë organizatave ndërkombëtare në Vjenë, zyra e OKB-së, OSBE, IAEA, UNIDO, CTBTO, etj.
Në vitin 2004 Z. Mazi zgjidhet anëtar i Grupit Drejtues të Qendrës të Gjenevës për Politikat e Sigurimit, qendër kjo mjaft prestigjioze në Zvicër. Për dy vjet radhazi, paralel me detyrat e ambasadorit në Vjenë, me miratimin e qeverisë shqiptare, Z. Mazi merr pjesë në të gjitha negociatat e mbyllura, pa publicitet, midis përfaqësuesve të lartë politike Kosovës dhe të Serbisë, në "shinën e dytë" (second track) për të ardhmen e statusit të Kosovës, që u organizua dhe u ndërmjetësua nga kjo qendër.
Gjatë kësaj karriere të gjatë dhe mjaft intensive diplomatike, Z. Mazi ka përfaqësuar Shqipërinë, si anëtar ose kryetar delegacioni qeveritar, në qindra mbledhje dhe konferenca ndërkombëtare të OSBE-së, në të gjitha nivelet, që nga mbledhja e parë e anëtarësimit e Shqipërisë deri tek ato të kryetarëve të shteteve dhe qeverive. Ai ka luajtur një rol mjaft të rëndësishëm në përgatitjen dhe paraqitjen e qëndrimeve, të zërit dhe të mendimit të Shqipërisë, duke u bërë konkretisht iniciator dhe protagonist, p.sh., në miratimin e 35 vendimeve politike vetëm për Kosovën në periudhën 1992-1997. Z. Mazi ka qenë i pari ambasador i Shqipërisë që ka pasur nderin të caktohet dekani i trupit diplomatik të OSBE në Vjenë. Vlen të shënohet se po gjatë viteve 2004-2007, Z. Mazi u zgjodh nga Grupi Lindor pranë OKB në Vjenë (një nga grupet rajonale që funksionojnë në sistemin e OKB, i përbërë nga 25 shtete) si koordinator i negociatave të grupit për të përcaktuar skemën e rotacionit të anëtarësisë në Bordin e Guvernatorëve të Agjencisë Bërthamore.
Në stafin e El Baradeit
Duke vlerësuar rolin dhe kontributin e Z.Mazit edhe në organizata të tjera, drejtori i Përgjithshëm i UNIDO-s, Kandeh Yumkela, e dekoroi ambasadorin shqiptar me medaljen "Për kontributin e shquar që ka dhënë në punët e UNIDO-s". Po duke vlerësuar njohjen dhe eksperiencën e tij të madhe në punët e Agjencisë Bërthamore, drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore, Mohamed El Baradei, e ka përzgjedhur Z. Mazin të jetë një nga 15 anëtarët e Grupit të Përhershëm Këshillimor pranë drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë Bërthamore, për periudhën 2008-2010.
Duke u nisur nga niveli i tij profesional dhe diplomatik, nga përvoja e gjatë dhe intensive në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare, nga njohja e madhe që ai ka për institucioneve ndërkombëtare, nga personaliteti dhe integriteti i tij, si dhe nga vlerësimet ndërkombëtare, në vitin 2004, ish-kryeministri Fatos Nano, me vendim të posaçëm të qeverisë të RSH, propozon Z. Mazin kandidat zyrtar të Shqipërisë për postin e sekretarit të Përgjithshëm të OSBE. Në atë garë tepër të vështirë dhe të komplikuar, kandidatura shqiptare gëzoi respektin dhe vlerësimin e madh në nivelet më të larta të diplomacisë ndërkombëtare dhe qendrat e kryeqytetet kryesore, në të cilat ai bëri vizita lobingu, ku Mazi ka njohje dhe lidhje të gjëra. Postin e ambasadorit të RSH pranë organizatave ndërkombëtare në Vjenë Z. Mazi e mbajti me shumë sukses deri në shtator të vitit 2007, kur emërohet ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i RSH pranë oborrit të Shen Xhejmsit në Britaninë e Madhe, dhe në Republikën e Irlandës, detyra që vazhdon t'i ushtrojë, përmes një aktiviteti mjaft të gjerë dhe dinamik në atë vend të madh.
Familja, një pasion i pashtershëm
Brixhilda Mazi, bashkëshortja e ambasadorit Zef Mazi, ka qenë për 25 vjet njeriu më i afërt, bashkëpunëtorja dhe "këshilltarja" e tij e veçantë. Asgjë e re, do të thotë dikush, por nuk është kështu. Kush e njeh Xhildën, do të kuptojë menjëherë cilësitë e saj të spikatura të mençurisë, inteligjencës dhe butësisë. Një mendje e hapur, thuhet zakonisht për këto natyra njerëzore. Vetëm pak muaj më parë çifti festoi 25-vjetorin e martesës bashkë me djalin e tyre të vetëm Gjergjin, 24 vjeç. Gjatë të gjatë në Vjenë, zonja Mazi ka punuar për një periudhë kohore në Sekretariatin e OSBE në Vjenë. Ajo sot shoqëron të shoqin në postin e tij të tretë ambasadorial në Londër, duke qenë një mbështetëse dhe përkrahëse gjithmonë fjalëbutë dhe e qeshur në detyrat e ambasadorit Mazi dhe në gjithë veprimtaritë tepër të ngjeshura protokollare që ai duhet të ndjeke, kësaj radhe si ambasador në Oborrin e Shen Xhejmist në Londër. Sa për djalin, Gjergjin shumëkush vazhdon të habitet me shqipen e këtij të riu të rritur praktikisht larg Shqipërisë që në moshë të vogël, por që ka ruajtur në mënyrë perfekte gjuhën dhe nostalgjinë për vendin. Gjergji vazhdon studimet e larta në Londër.