Tirana vuan, por në fund ia arrin qëllimit. Skuadra e drejtuar nga Sulejman Mema (që e ka ndjekur ndeshjen nga tribuna, për shkak të pezullimit) fiton 2-1 përballë Elbasanit: 3 pikë të marra me talent dhe shumë zemër. Në këtë sezon krizash, bardhebluve u mungon loja e bukur, kjo është konstatuar edhe në këtë sfidë. Megjithatë, në "Selman Stërmasi" ata kanë ditur si t‘i entuziazmojnë tifozët e tyre. Në disavantazhin e një goli, me dy lojtarë më pak (pas kartonëve të kuq të Fortuzit dhe Mohelebit), kampionët mposhtën rivalët e vjetër verdheblu, të drejtuar nga Krenar Alimehmeti. Xhafa dhe Hyka janë heronjtë e kryeqytetasve, ndërkohë që trajneri Mema është dukur tejet i acaruar (në distancë) me gjyqtarin Bardhyl Pashaj dhe vendimet e tij, të cilat mund t‘i kushtonin shumë skuadrës.



Superndeshja e javës së 25-të ka filluar menjëherë me elbasanasit në avantazh. Në të 6-ën Bejzade devijon me kokë një goditje të Arben Nuhiut, duke nxjerrë jashtë loje portierin Osmani. Tirana vuan goditjen e shpejtë, ndërsa miqtë provojnë të përfitojnë dhe janë gjithmonë të rrezikshëm me daljet e shpejta. Momenti i parë i rrezikshëm i bardhebluve është regjistruar vetëm pas 17 minutave lojë, por tentativa me kokë e Fortuzit ka përfunduar pak mbi traversë. Pak çaste më vonë ka qenë Duro që ka provuar, pa gjetur portën. Vendasit vuajnë në lojën e tyre, ndërkohë që vëllezërit Ardian dhe Arben Nuhiu janë protagonistë të një ndeshjeje të jashtëzakonshme, duke sjellë vazhdimisht panik në zonën kundërshtare. Ky i fundit ka pasur edhe një rast shumë të mirë për shënim, por ka gjetur reagimin e Osmanit, që arriti të mbante Tiranën në lojë. Pjesa e dytë fillon me dy zëvendësime për bardheblutë: me telefon nga tribuna, Mema u ka kërkuar ndihmësve të tij të aktivizonin Daniel Xhafajn dhe Deliallisin. Lëvizje që kanë sjellë freski dhe shpejtësi në lojën e skuadrës, e që në fund i kanë dhënë të drejtë trajnerit. Megjithatë, tensioni në fushë ishte i dukshëm. Pas 62 minutave lojë, Fortuzi bën një faull të kotë në gjysmëfushën kundërshtare ndaj Shetës dhe gjyqtari Pashaj nuk e toleron. Karton direkt i kuq për "Zogun". 120 sekonda më vonë situata e vendasve është përkeqësuar edhe më shumë, pasi Mohelebi merr kartonin e dytë të verdhë në harkun e 4 minutave: 25 minuta lojë të mbetura dhe Tirana detyrohet të luajë me dy lojtarë më pak. Inferioriteti numerik u jep zemër bardhebluve, që motivohen më shumë se kurrë për t‘u mos u dorëzuar. Në të 72-ën Xhafaj përfiton nga pasiguria e mbrojtjes dhe me akrobaci e dërgon sferën në rrjetë. Barazimi ka ardhur edhe falë reflekseve të dobëta të portierit të Elbasanit, Vraniç. Katër minuta më vonë është Hyka që vulos rezultatin final. Mesfushori i kombëtares kalon të tijtë në avantazh me një aksion spektakolar: kundërsulm i Deliallisit, topi te Hyka, që me një lëvizje driblon tre kundërshtarë dhe rrjetë. Me fitoren 2-1 Tirana ngjitet në vendin e tretë në klasifikim, në kuotën e 40 pikëve, 8 më pak se Dinamo dhe Partizani.