Në Prishtinë filloi festivali etnologjik, multikulturor dhe regjional “T’i bashkojmë zemrat përmes artit dhe kulturës”, i cili do të zgjasë tri ditë. Vende të ndryshme të rajonit do të shfaqin trashëgiminë e tyre kulturore si mënyrë për të promovuar paqen, tolerancën dhe mirëkuptimin me anë të prezantimit të kostumeve folklorike, punimeve artizanale dhe ushqimit tradicional nga Kosova dhe regjioni.

Veshje dhe valle të ndryshme, kryesisht të vendeve ballkanike, janë prezantuar në kuadër të festivalit të parë etnologjik, multikulturor dhe regjional në Kosovë, i titulluar “T’i bashkojmë zemrat përmes artit dhe kulturës”, i cili filloi të enjten në kryeqytetin e Kosovës.

Në këtë festival po marrin pjesë ansamble nga shtete të rajonit, përfshirë edhe Serbinë. Ky festival është cilësuar si një dritare e mirë që përmes kulturës dhe artit të thyhen muret ndarëse në mes shoqërive të ndryshme dhe njëkohësisht të krijohen ura bashkëpunimi në mes tyre.

Skënder Syla nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, duke folur në emër të Ekipit të Agjencive të Kombeve të Bashkuara, të cilat janë edhe përkrahëse të këtij festivali, u shpreh se kjo ngjarje paraqet një moment të rëndësishëm në zhvillimin e përgjithshëm social e kulturor në Kosovë.

“Pa dyshim se kjo ngjarje paraqet një moment të rëndësishëm në zhvillimet e përgjithshme sociale e kulturore në Kosovë. Këtu ne jemi dëshmitarë të pranisë së një numri të madh të ansambleve, të kulturave të ndryshme, të cilat komunikojnë, jo vetëm nëpërmjet fjalëve, por edhe nëpërmjet gjuhës së artit. Shumë gjëra kanë ndodhur në të kaluarën e afërt në Kosovë dhe në vendet fqinje në dy dekadat e fundit por janë arritur të kalohen rrethanat e ndarjeve, të luftërave, të konflikteve dhe ngjarjeve të rënda”, tha Syla. Ai shtoi se artistët kanë gjetur mënyrën e vet për t’i shpërfaqur në sipërfaqe krijimet e tyre artistike.

Ndërkaq, zëvendëskryeministri dhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Slobodan Petroviq, tha se kultura duhet të vihet para politikës. Ai shtoi se duhet menduar për gjërat që na bashkojnë e jo për gjërat që na ndajnë.

“Kosova është plot dallime, gjë që do të vërehet edhe sot nëpërmjet veshmbathjeve të ndryshme, valleve të ndryshme duke treguar fuqitë tona të ndara dhe fuqinë tonë të përbashkët. Bashkimi i zemrave tona duhet të tregojë atë që kultura duhet të vihet para politikës, duhet të mendojmë për gjëra që na bashkojnë, e jo ato që na ndajnë”, tha Petroviq.

Ai theksoi se muaji shtator është muaji kur organizohen manifestime për të kremtuar përhapjen e kulturës kudo në botë. Ky festival shumë-kulturor, sipas tij, është një iniciativë e cila do të dëshmojë se edhe Kosova ka aspirata ndërkombëtare, por që vërtet dëshiron të jetë pjesë e një pasqyre gjithëpërfshirëse në kulturë dhe në art.

Ndërsa Gani Elshani, zëvendësministër i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, theksoi se arti dhe kultura janë sfera shumë të rëndësishme për një popull.

“Po shpresoj se nëpërmjet këtij festivali mund edhe t’i bashkojmë zemrat me të vërtetë. Tradita dhe kultura duhet të ruhen edhe nëpërmjet këtyre shoqërive kulturore, sepse arti dhe kultura janë një sferë e mrekullueshme”, tha ai.

Përfaqësuesi i Mercy Corps-it në Kosovë, Lee Norrgard, u shpreh i lumtur që përmes USAID-it kanë pasur mundësinë të ndihmojnë në këtë drejtim dhe njëkohësisht bëri thirrje që vlerat të ruhen.

Ky festival ka për qellim të sjell së bashku shoqëritë kulturo-artistike nga Kosova, Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kroacia, Maqedonia, Serbia, Mali i Zi, Bullgaria, Turqia dhe Sllovenia, të cilët do të shfaqin trashëgiminë e tyre kulturore si mënyrë për të promovuar paqen, tolerancën dhe mirëkuptimin me anë të prezantimit të kostumeve folklorike, punimeve artizanale dhe ushqimit tradicional nga Kosova dhe regjioni. Festivali do të zgjatë tri ditë.