Teksa politika në Shqipëri zien për çështjen Babale dhe vërtetësinë ose jo të audio-përgjimit, ku pretendohet se vëllai i ministrit të Brendshëm diskuton pazare dhe trafik droge, vetë Albert Veliu thotë se zëri është i Agron Xhafajt.


Ju vazhdoni ti qëndroni versionit tuaj se zëri i regjistruar është i Agron Xhafajt?, ishte pyetja kryesore që gazetarja Eni Vasili i bëri Babales.


Gjer në vdekje. Nuk e di, nuk dua të zë emra në gojë, por gjer në vdekje ato zëra që janë regjistruar janë dhe nuk më bën dot pas njeri sikur të mendojë si të dojë dhe të japë edhe njëherë gastro nuk trembem nga burgu, ishte përgjigja e tij.


Le të presim që të dalë nga burgu ai personi tjetër (Agron Xhafaj), dhe të bëjmë ballafaqimin. Të na merret zëri të dyve dhe më pas do provohet që unë kam të drejtë. Unë i qëndroj të vërtetës time dhe nuk kam frikë për veten, por vetëm për familjen time, shtoi Veliu.


Më tej ai tha se ka aplikuar për azil në Kosovë, pasi i rrezikohet jeta në Shqipëri. Babalja gjithashtu tregon se si policia i ofroi mbrojtje, ndonëse emri i tij nuk ishte publikuar ende, pas transmetimit të audiopërgjimit me Agron Xhafajn.


Shkon shefi i krimeve të Vlorës dhe i kërkon djalit tim, numrin tim të telefonit. Më telefonoi dhe më tha se kishin urdhër të më merrnin në mbrojtje, ndërkohë që emri im nuk kishte dalë ende, pasi në audiopërgjim përdorej emri Dëshmitari X. Pra, pa dalë emri im asgjëkundi, shteti më dërgon policinë të më mbrojë. Unë e refuzova dhe u thashë se nuk kam nevojë për mbrojtje, pasi nuk kam bërë asnjë gjë, deklaroi Babalja.


Albert Veliu deklaroi se është i bindur se do të fitojë azilin politik në Kosovë, pasi kërkesa e tij është në përputhje me të gjitha konventat europiane dhe mbi të gjitha, se ksihte besimj te shteti kosovar.


15 tetor 2018 (gazeta-Shqip.com)