Transferimi i kompetencave


Do të shmanget sorollatja e qytetarëve në disa institucione të ndryshme


Gentjana Sula DielliE pyetur nga gazeta Shqip, lidhur me kalimin e Institutit të ish të Përndjekurve në varësi të Ministrisë së Mirëqenies Sociale, zëvendësministrja Genta Sula, shpjegon qëllimin e transferimit të kompetencave: Së pari, kjo bëhet për të iniciuar një reformë institucionale, që synon ti japë fund fragmentimit të shërbimeve në lidhje me dokumentimin e statusit të ish të përndjekurve, procedurës së dëmshpërblimit financiar, shërbimeve juridike, të integrimit si dhe të krijojë mundësi reale të hartimit të politikave për rehabilitim moral, dëmshpërblim solidar financiar dhe ato për shërbimet publike prioritare, përfshi ato shoqërore në favor të shtresës së ish të përndjekurve dhe familjeve të tyre. Në përputhje me vizionin e kësaj reforme, në MMSR po ngrihet një drejtori e dedikuar për hartimin e politikave integruese ndaj kësaj shtrese. Kjo drejtori do të merret drejtpërdrejt me hartimin e politikave për përmirësimin e qasjes ndaj pensioneve të kësaj shtrese, për të garantuar shërbime publike falas, përfshi arsimimin si dhe për të krijuar programe punësimi që shënjestrojnë shtresën e ish të përndjekurve e familjarëve të tyre. Sula theksoi se edhe Instituti i Integrimit të ish të Përndjekurve kaloi në vartësi të MMSR pikërisht për të zbatuar politikat integruese të qeverisë, duke synuar shmangien e sorollatjes së tyre nëpër disa institucione të ndryshme dhe lehtësimin e marrjes së të gjitha shërbimeve që iu takojnë.


Së dyti, MMSR po inicion krijimin e një grupi pune të nivelit të lartë ndërministror, i përbërë nga disa ministri si ajo e Drejtësisë, së Brendshme, Financës, Kulturës, Arsimit, Shëndetësisë dhe Turizmit, pikërisht për të mundësuar një qasje sa më të gjerë, qoftë ndaj problematikës së rehabilitimit moral, shoqëror dhe financiar të të përndjekurve, por edhe për të mos lënë në harresë këtë periudhë të errët të shoqërisë shqiptare. MSSR beson shumë se historia u duhet treguar brezave më të rinj e po ashtu edhe vizitorëve të huaj, si një ilustrim i asaj që ngjau nën efektin e Luftës së Ftohtë në mbarë Europën, e që sigurisht duhet shmangur me çdo kusht që të mos përsëritet. Disa aksione konkrete, si p.sh., promovimi i mbledhjes së dëshmive historike gojore, ose aktivitete rinore nëpër vendet e vuajtjes së dënimit për bindje politike janë kryer ose janë në organizim e sipër, shpjegoi zëvendësministrja e Mirëqenies Sociale.


 


Ky shkrim Zëvendësministrja Sula: Ti japim fund fragmentimit të shërbimeve u publikua me pare te Gazeta SHQIP.