Komuna e Prishtinës ka bërë të ditur të martën për zgjatjen e afatit për konkurrim në konkursin për krijimin e skulpturës për shtatoren e ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, që parashihet të vendoset në Sheshin e Pavarësisë.

“Lajmërojmë të gjithë krijuesit, në vend dhe jashtë tij, se Komuna e Prishtinës ka vazhduar afatin e Konkursit për punimin e skulpturës se shtatores së presidentit, dr. Ibrahim Rugova, e cila do të vendoset në Sheshin e Pavarësisë”, thuhet në njoftimin që qartëson se, konkursi do të jetë i hapur deri më 14 janar 2013.

Ndryshe, dosja me kushtet e pjesëmarrjes në konkurs mund të tërhiqet në Zyrën e Prokurimit, të Komunës së Prishtinës, deri më 10 janar 2013, ose të shkarkohet nga web-faqja e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik të Kosovës (http://krpp.rks-gov.net/).