Kryesia e PD-së në mbledhjen më të afërt pritet të emërojë 12 koordinatorë të cilët do të monitorojnë nga afër zgjedhjet e reja brenda partisë. Koordinatorët e rinj, të cilët diktohen nga sistemi i ri elektoral emërohen në bazë të 12 qarqeve në të gjithë vendin. Ata do të jenë anëtarë të forumit më të lartë të PD-së, kryesisë së saj dhe do të merren drejtpërdrejt me organizimin e ristrukturimit të partisë në bazë. 12 koordinatorët do të bashkërendojnë veprimtarinë partiake me 12 grupet e punës të cilat në përbërjen e tyre janë më të zgjeruara pasi kanë anëtarë nga kryesia, këshilli kombëtar dhe grupi parlamentar i PD-së. Kryesia pritet të mblidhet brenda 10 ditësh për të bërë emërimin e 12 koordinatorëve. Burime pranë kryesisë bëjnë të ditur disa nga emrat më të mundshëm. Në qarkun e Kukësit është Aleksandër Biberaj, në Shkodër Jozefina Topalli, në Lezhë Aldo Bumçi, në Durrës Sokol Olldashi, në Elbasan Lulzim Basha, në Korçë Ridvan Bode, në Berat Ili Rusmali, në Gjirokastër Genc Ruli, në Vlorë Astrit Patozi etj. Në Tiranë kryesia pitet të caktojë një ndër tre emrat: Bujar Nishani, Edi Paloka dhe Majlinda Bregu. Puna e tyre është organizimi i strukturave në bazë të ndryshimeve të fundit statutore dhe përgatitja për zgjedhjen e drejtuesve të seksioneve, grup-seksioneve dhe në fund të kryetarëve të degëve. I gjithë ky proces është parashikuar që të përfundojë brenda 3-4 muajve, duke i paraprirë në këtë mënyrë fillimit të fushatës zgjedhore për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Në përfundim të këtij procesi zgjedhor, në muajin prill të 2009-ës, PD-ja do të mbledhë Kuvendin Kombëtar. Me ndryshimet në statutin e PD-së, ku kryesia miratoi shkrirjen e nëndegëve, tashmë kryetarët e degëve do të zgjidhen sipas variantit të vjetër të PD-së. Ky variant parashikon që seksionet e partisë dhe grup-seksionet të propozojnë emra kandidatësh për kryetarë të degëve. Emrat e kandidatëve merren në shqyrtim nga kryesia qendrore e Partisë Demokratike. Kjo e fundit, pas diskutimeve dhe verifikimeve, ua dërgon sërish grup-seksioneve, të cilat janë strukturat e partisë në bazë, emrat e dy ose tre kandidatëve. Më pas mblidhen kryesitë e grup-seksioneve, të cilat votojnë midis këtyre kandidaturave që janë propozuar nga kryesia qendrore e partisë. Pikërisht kjo do të jetë procedura që do të ndiqet për të zgjedhur kryetarin e degës së Tiranës, ku pritet të ketë një “luftë” kandidaturash për shkak të rëndësisë politike që ka ky post në kryeqytet. Një strukturë e re që i shtohet PD-së është dhe qarku. Pikërisht qarku do të drejtohet nga një grup individësh me një koordinator që do të zgjidhet nga strukturat e PD-së.