Kandidati që kryeson garën republikane për president, Donald Trump, përballet sot me një garë tjetër tejet të rëndësishme për shanset e tij për t'u bërë kandidati zyrtar i partisë. Sot janë duke u zhvilluar zgjedhjet paraprake në Indiana. Përballë tij është senatori i Teksasit, Ted Cruz. Një fitore në Indiana mundet t'i jepte Donald Trumpit një rrugë më të qartë drejt kandidaturës së Partisë Republikane para zhvillimit të kuvendit në korrik.

Një fitore në zgjedhjet e sotme në Indiana do ta çonte zotin Trump, në prag të sigurimit të emërimit si kandidat presidencial nga partia republikane.

"Është me të vërtetë e rëndësishme që të fitojmë, sepse në se fitojmë, duhet të grumbullojmë fondet për Partinë, për garat në Senat dhe në Kongres dhe mund të bëjmë shumë në vend që ta harxhojmë kohën kot me njerëz si Cruz dhe Kasich."

Trump shkon në zgjedhje e sotme pas fitoreve të thella në disa shtete lindore javën e kaluar dhe fitorja në Indiana do t'i jepte një goditje madhore rivalit të tij kryesor, senatorit Ted Cruz.

Por Cruz nuk po tërhiqet. Synimi i tij është të mos lejojë Donald Trumpin të sigurojë numrin e nevojshëm të delegatëve para zhvillimit të kuvendit të partisë në korrik.

"Unë nuk mund të siguroj 1237 delegatë dhe as Donald J. Trump nuk do të sigurojë 1237 delegatët. Dhe shteti i Indianës do të ketë një zë të fuqishëm për ta bërë këtë të qartë."

Megjithë kryesimin, Trump vazhdon të përballet me protesta përfshi një javën e kaluar në Kaliforni ku ai foli në një miting të republikanëve.

Një fitore në Indiana do ta vinte Trumpin një hap më pranë fitores kritike qç në votimin e parë në kuvend, thotë analisti John Fortier.

"Donald Trump duhet të fitojë që në votimin e parë ose duke i siguruar të 1,237 delegatët që i duhen, ose të jetë sa më pranë këtij numri. Në se zhvillohet votimi i dytë apo i tretë, shanset për të do të jenë më të vogla".

Kryesuesja demokrate Hillary Clinton po bën gjithashtu fushatë në Indiana pas fitores në katër nga pesë garat e fundit paraprake javën e kaluar.

Clinton po përqëndrohet tek Trump, kundërshtari i saj i mundshëm në zgjedhjet e nëntorit.

"Zoti Trump më akuzoi se po luaj "kartën e gruas." Atëherë, nëse të luftosh për kujdesin shëndetësor të grave dhe leje të paguar familjare dhe pagë të barabartë do të thotë të luash kartën e gruas, hajde më lufto!"

Clinton është në një garë të ngushtë në Indiana me rivalin Bernie Sanders, i cili premtoi të vazhdojë garën deri në fund.

"Ne besojmë se jemi në një pozitë të fortë për të fituar shumë nga garat e mbetura, dhe kemi një shans të shkëlqyer për të fituar në Kaliforni, shteti më shumë delegate".

Por koha nuk premton për senatorin Sanders ndërsa zonja Clinton ka ndërtuar një kryesim virtualisht të pamposhtur në rrugën e saj drejt kandidaturën demokrate.