Guvernatori i Teksasit, Rik Perri, i ri në grupin e debatit, është “përleshur” me ish-guvernatorin e Masachususetsit, Mit Romni mbi shifrat e vendeve të reja të punës.

Kongresistja Mishele Bahmann rishprehu bindjen e saj se politika e presidentit Barak Obama për shëndetësinë është “vrasëse për vendet e punës”. Edhe Perri e quajti paketën e pensioneve dhe sigurimit social si një skemë “ponzi”.

Në debat morën gjithashtu pjesë ish-guvernatori i Jutah, Jon Huntsman, biznesmeni Herman Kein, kongresmeni Ron Paul, ish-kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Net Gingrich dhe ish-senatori i Pensilvanisë, Rik Santorum.

Garuesit kryesorë, Perri dhe Romni, dominuan pjesën e parë të debatit, gjatë të cilit shkëmbyen replika. Perri, si konservator i sertë që është bashkuar me grupin e kandidatëve kur hyri në garë, e vuri theksin tek numri rekord i vendeve të punës të krijuara gjatë qeverisjes së tij 10-vjeçare të Teksasit.

Ndërsa zoti Romni, i cili i referohet eksperiencës së tij në sektorin privat, zbuloi planin e tij për rimëkëmbjen e ekonomisë amerikane.

Duke kritikuar në mënyrë direkte rivalin kryesor, Perri theksoi se “më shumë vende të lira pune kishte krijuar ai në Teksas gjatë tre muajve të fundit se sa rivali i tij në katër vjet në Masachususets”./Start/F. P/



                                                                                             2011-09-08 11:27