Nga Mero Baze


Nga mënyra se si po ashpërsohet beteja mes LSI-së e Partisë Socialiste nga një anë, dhe nga mënyra se LSI po flirton me Berishën, e po sulmon Bashën, rezultati final i këtyre zgjedhjeve, nëse Partia Socialiste nuk fiton pastër,  nuk del pas 25 qershorit, por pas 25 korrikut. Kjo, për shkak se për të vendosur me kë do jetë në qeveri Partia Socialiste, do të duhet të presë se kush do të jetë kryetar i PD dhe çfarë do të bëjë LSI me bllokimin e procesit zgjedhor.


Përplasjet mes Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim kanë arritur sot kulmin e tyre, kur kryeministri Edi Rama denoncoi publikisht me emra në mitingun e Sarandës, fenomenin e nepotizmit nga një bashki e LSI-së, ndërsa Gramoz Ruçi paralajmëroi Ilir Metën se mund të përballej me shkarkimin, nëse do të tentonte të destabilizonte procesin zgjedhor në vend.


Në përgjigje të tyre, Ilir Meta ktheu prozhektorët e tij nga Sali Berisha, duke lavdëruar bashkëpunimin me të dhe duke sulmuar Lulzim Bashën, si një lider që e drejton PD-në për interesa financiare.


E gjithë kjo vlen për të kuptuar se pas zgjedhjeve nuk ka shans të ketë koalicion mes PS dhe LSI, por dhe pak shanse që të deklarohet menjëherë aleanca mes PS e PD, nëse PS nuk fiton e vetme.


Ajo që LSI mund ti bëjë procesit pas 25 qershorit, është zvarritja  e rezultatit zyrtar pas 24 korrikut. Duke forcuar shumë retorikën e fitores, si forcë e parë më 25 qershor, Ilir Meta synon të rrisë pritshmëritë e elektoratit të tij për fitore dhe kështu e ka më të lehtë retorikën e kontestimit dhe bllokimit të nxjerrjes zyrtare të rezultatit. Një fushatë ankimesh zyrtare të LSI menjëherë pas datës 26 qershor, mund ta  bllokojë nxjerrjen shpejtë të rezultatit zyrtar, dhe ta kalojë 24 korrikun, ditën kur Kuvendi i vjetër duhet të  mblidhet për tu betuar Presidenti.


Nëse nuk ka një trend të qartë të rezultatit për një shumicë të pastër nga socialistët, do të jetë e vështirë që të veprohet kundër Ilir Metës duke bojkotuar Parlamentin, pasi vendi kalon në një situatë tërësisht jo kushtetuese, ku nuk ka më as të zgjedhur, as President, por vetëm një qeveri në detyrë.


Ky do të jetë skenari më i keq për pas-zgjedhjet.


Nga ana tjetër, dhe nëse nuk del fituese e pastër, Partia Socialiste do ta ketë të vështirë të deklarojë aleancë me PD-në e Lulzim Bashës, pasi fati i tij politik po ashtu varet më 22 korrik, kur duhet të bëjë zgjedhjet në PD. Kundërshtarët e tij thonë se do ta shkarkojnë atë nëse PD humbet, dhe duket se Ilir Meta po i shkel syrin Berishës ta bëjë këtë. E gjithë kjo vlen së paku që Edi Rama të mos deklarohet për aleancë me Bashën para zgjedhjeve brenda PD-së, pasi është një vendim që mund të ndikojë në zhvillimet në PD.


Duke qenë peng i javës së parafundit të korrikut, kur vendoset dhe fati i Presidentit, dhe fati i liderit të PD, Shqipëria ka mundësi të ketë një periudhë shumë të paqartë pas-zgjedhore, nëse PS nuk merr një fitore të pastër. Spiralja ku ka hyrë beteja elektorale dhe aleancat Meta-Berisha e Rama-Basha, nuk varen aq shumë nga rezultati i 25 qershorit, por nga rezultati i 25 korrikut, kur të jemi të qartë kush do të jetë President i Shqipërisë dhe kush do të jetë kryetar i PD.