Radio Televizioni Ora News futet në garë për të shpallur i pari rezultatin e zgjedhjeve të 28 qershorit. Ora News ka nënshkruar kontratën me kompaninë më të madhe italiane të sondazheve të opinionit IPR Marketing, për të publikuar katër sondazhe për zgjedhjet si dhe të realizojë një exit poll të IPR Marketing. Firmosja u realizua në sallën e konferencave të radio televizionit Ora News në orën 09.30, midis presidentit Ylli Ndroqi dhe drejtorit të përgjithshëm doktor Antonio Noto. Drejtori i Përgjithshëm i Ora News, Alfred Peza në konferencën për shtyp që u mbajt me rastine firmosjes së kontratës mes RTV Ora News dhe IPR Marketing për sondazhet për zgjedhjet deklaroi se kjo kontratë parashikon realizimin e sondazheve dhe exit-polleve. "Kontrata parashikon realizmin e katër sondazheve. Pas katër sondazheve , në 28 qershor në ditën e zgjedhjeve IPR Marketing dhe Ora News do të realizojnë exit poll-in", u shpreh Peza.Sipas drejtorit të përgjithshëm të Ora News, kontrata me IPR Marketing është një kontratë afatgjatë që nuk përfundon me sondazhet e zgjedhjeve. Kjo kontratë rrit kulturën e sondazhit në Shqipëri', tha Alfred Peza.Alfred Peza bëri me dije se vendimi për sondazhin është marrë që në fund të vitit të kaluar prej stafit të këtij televizioni. "Kërkonim marrëveshjen me një kompani prestigjize, dhe sapo kemi arritur këtë qëllim, kjo kontratë e vendos Ora News në një status tjetër në raportimin e çështjes më të rëndësishme të këtij viti, që janë zgjedhjet e 28 qershorit. Presidenti i Radio Televizioni Ora News Ylli Ndroqi, bëri me dije se për herë të parë ky televizion realizon një kontratë me një kompani shumë të rëndësishme në tregun evropian. "Duke marrë referenca prej shumë javësh, së bashku me drejtorin e televizionit kemi zgjedhur kompaninë lider në Evropë që do na japë sondazhet më korrekte të realizuar ndonjëherë",deklaroi Ndroqi. Drejtori i përgjithshëm i IPR Marketing, Antionio Noto, gjatë fjalës së tij u shpreh se kjo kompani ka ekseperienca dhe exit poll-e, por bashkëpunimi me Shqipërnë është një ekperiencë e re. "Shpresoj që me televizionin Ora News të krijojmë një bashkëpunim të mirë", tha ai. Drejtori i IPR Marketing bëri me dije se në tre sondazhet parazgjedhore do shikohen tendencat zgjedhore për partitë kryesore. "Tendencat ndryshojnë nga muaji në muaj", u shpreh Noto. Sipas tij, në exit poll-in që do të zhvillohen ditën e zgjedhjeve, do të jepet prirjet zgjedhore të shqiptarëve orë pas ore. Siç është rënë dakord, prestigjiozja IPR Marketing, do të kryejë 4 sondazhe dhe një exit poll. Në datat 15 prill, 15 maj, 15 qershor dhe 25 qershor, IPR Marketing dhe radio televizioni Ora News do të publikojnë rezultatet e sondazheve të kryera, kjo shoqëruar me transparencën maksimale për metodologjinë e përdorur. Për herë të parë realizohet shtrirja e sondazhit në të 12 qarqet e vendit, duke përfshirë të gjitha partitë politike dhe koalicionet në garë. Gjithashtu numri i personave të pyetur do të jetë më i madh se 1000, numër i përdorur nga kompani të tjera sondazhesh. Publikimi i këtyre rezultateve do të shoqërohet me numrin saktë të personave të pyetur, vendin ku u zhvillua sondazhi, pyetjet e bëra, intervistat e punonjësve të angazhuar për sondazhin, pra gjithçka në funksion të transparencës maksimale përballë publikut, afrimit të rezultatit të saktë dhe konfirmimin për RTV "Ora News" si televizioni më i shpejtë e më i saktë në Shqipëri. Pas 4 sondazheve, ditën e mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme legjislative më 28 qershor, IPR Marketing dhe televizion Ora News do të realizojnë exit pollin. Menjëherë pas mbylljes së kutive të votimit do të jepet dhe rezultati. IPR numëron mjaft suksese në exit polle. I fundit ka qenë për zgjedhjet e pjesshme në Sardenja të Italisë, ku marzhi i gabimit ishte vetëm 1 %. Zgjedhjet vendore u finalizuan me fitoren e qendrës së dhjathtë dhe humbjen e së majtës, që u shoqërua me dorëheqjen fill pas këtyre zgjedhjeve, të liderit Valter Veltroni. Bashkëpunimi me IPR Marketing, e bën radio televizionin Ora News të tretin në Shqipëri që pajton kompani të huaja, me eksperiencë në fushën e sondazheve; pas Zogyt që bashkëpunon me Top Chanel dhe Gani Bobi me TV Klan.IPR Marketing është institut që operon në sektorin e sondazheve të opinionit, kërkimet në fushën e Politikës dhe strategjitë elektorale. Ky institut është themeluar në vitin 1993 nga drejtuesi aktual Antonio Noto. IPR Marketing është një kompani e besueshme; ajo bashkëpunon rregullisht me gazetat më të mëdha të Italisë, si La Repubblica, Il Sole 24 ore, Crriere della Sera dhe agjencinë Reuters. IPR bën veç të tjerave dhe sondazhe të përmuajshme; ndër të cilat, për bën besimin e qytetarëve tek qeveria në këtë periudhë të krizës ekonomike, mbështetjen e partive politikane në popull e të tjera matje të opinionit. Instituti nuk operon vetëm në Itali, por në disa prej vendeve më të zhvilluara evropiane. IPR, një nga kompanitë më të besuara të sondazheve në Itali dhe Evropë, së bashku me RTV "Ora News", pritet të ngrejë në një nivel më të lartë dhe profesional, orientimin e opinionit publik në lidhje me rezultatet e pritshme, për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 28 qershorit në Shqipëri.