Protestat në Londër kanë hyrë në ditën e pestë në formën më të dhunshme që nga trazirat e viteve 80, duke detyruar kryeministrin David Kameron që të mbledhë Parlamentin në përpjekje për të gjetur një zgjidhje.Policia në Londër njoftoi se do të nisë përdorimin e plumbave plastikë, nëse edhe gjatë natës së mbrëmshme do të kishte trazira dhe do të sulmoheshin ndërtesa e biznese. Lajmi doli vetëm pak orë pasi kryeministri David Kameron paralajmëroi protestuesit se do të përballen me forcën e plotë të ligjit. Dyqane e biznese janë mbyllur dje nga frika e sulmit të protestuesve. Si kurrë më parë, 16 000 policë janë në shërbim në rrugët e Londrës, krahasuar me vetëm 6 000 që ishin në detyrë një ditë më parë. Trazirat e djeshme kanë shkaktuar edhe vdekjen e një 26-vjeçari të qëlluar me armë zjarri, i cili vdiq në spital. Të tjerë njerëz janë të shtruar në spitale nga plagët e marra nëpër rrugët e Londrës, si dhe nga zjarret, ku mes tyre një 60-vjeçar në gjendje të rëndë. Qytetarët janë në panik, thirrjet për ndihmën e urgjencave janë shtuar me 400 për qind vetëm në Londër. Protestat e nisura pas vdekjes së një të kërkuari nga policia kanë marrë ngjyra të tjera, pasi po shfrytëzohen nga banda të ndryshme në Britani. Stafi i spitalit të fëmijëve në Birmingem ka krijuar barrikada për të izoluar veten brenda ndërtesës, pasi disa keqbërës kishin tentuar të hynin në spital. Një ndërtesë historike 144-vjeçare është djegur tërësisht nga flakët e vëna prej protestuesve dhe nuk është e vetmja. Copëzat e ndërtesave, e makinave të djegura pritet ti kushtojnë Londrës dhjetëra milionë paund shpenzime. Situata është aq e tensionuar, sa policisë së Londrës i është dashur të përdorë edhe mjete të blinduara për të sprapsur protestuesit në Lavender Hill, Klapham. Deri tani, sipas shefit të policisë së Londrës, nuk ka plane për të përfshirë ushtrinë. Mes qindra të arrestuarve, tre po mbahen të burgosur me akuzat e përpjekjeve për të vrarë një oficer policie. 111 oficerë policie janë plagosur. Në total, janë arrestuar 525 persona në Londër dhe 139 në Birmingem, nga të cilët janë ngritur akuza vetëm për 100 veta. Mes tyre edhe një 16-vjeçar, i cili akuzohet si simulues i trazirave nga Facebook. Nuk dihet nëse do të ketë arrestime të tjera gjatë natës, pasi të gjitha qelitë e Londrës janë plot. Protesta të ngjashme me ato që nisën të Totenhem janë përhapur edhe në Birmingem, Bristol, Notingam, Liverpul dhe Lids.


16 mije

policë ishin në detyrë mbrëmë në rrugët e Londrës, një numër i paprecedentë. Megjithatë, angazhimi i ushtrisë për të shuar trazirat deri tani përjashtohet.


Hetimi: Dugan nuk kishte qëlluar


Trazirat në Londër nisën pas dyshimeve se një 29-vjeçar, Mark Dugan, i kërkuar nga policia, i cili u vra gjatë një shkëmbimi zjarri, nuk kishte qëlluar kundër tyre. Hetimi i policisë së pavarur ka deklaruar se nuk ka prova që të tregojnë se pistoleta e gjetur në vendin e ngjarjes ka qëlluar. Të shtënat kanë dalë nga armët e policëve.


Qeveritë: Siguroni jetën para se të shkoni në Londër!


Shumë vende të botës kanë paralajmëruar në mënyra të ndryshme qytetarët e tyre që të qëndrojnë larg Britanisë, pasi harta e zonave të protestave të dhunshme u zgjerua nga Londra në Bristol, Birmingem, Liverpul dhe Mançester. Gjermania, Letonia, Suedia, Danimarka dhe Finlanda i kanë kërkuar të gjithë turistëve të jenë vigjilentë, të jenë në kontakt të vazhdueshëm me median dhe të sigurohet që e kanë prerë sigurimin e jetës dhe shëndetit. Edhe gazetat e të gjithë botës i kanë dedikuar shkrime shumëfaqëshe trazirave në Londër dhe shumë prej tyre janë hapur me këtë lajm. Letonia u bë vendi i parë që njoftoi dje në mëngjes qytetarët e saj që të qëndronin larg zonave të trazirave në Londër. Ministria e Jashtme në Riga u ka kërkuar qytetarëve të saj që janë në Londër të presin sigurim shëndeti dhe jete. Kjo lëvizje u pasua shumë shpejt nga Suedia, Danimarka dhe Finlanda. Madje, Ambasada Finlandeze ka lajmëruar që të evitohen lëvizjet nga një vend i Londrës në tjetrin. Edhe Ministria gjermane ka kërkuar nga qytetarët e saj që të tregojnë kujdes të veçantë. Në Indi, redaktori i revistës Lonely Planet u thotë miqve të tij në Twitter që të evitojnë totalisht udhëtimin në Britani. Gazetat e botës e kanë ndjekur me kujdes këtë çështje, sidomos mediat gjermane, të cilat thonë se Londra është vetëm një vit larg organizmit të Lojërave Olimpike. Wall Street Journal komenton se këto janë akte kriminale dhe jo protesta demokratike, ndaj nuk kanë asnjë justifikim.