Kosova s’ka asnjë shqetësim për rrjedhën e politikave ndërkombëtare për sa i përket pavarësisë kombëtare dhe rreth raporteve me Serbinë. Qeveria e Kosovës nuk po negocion as fshehtë, as hapur me Serbinë, por me Serbinë dhe me Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së po negociojnë hapur dhe fshehtë aleatët e Kosovës, ShBA-ja, Britania e Madhe, Gjermania..., jo për t’i ndëshkuar kosovarët, duke bërë pazare pas shpinës së tyre, por për ta mbrojtur pikërisht lirinë dhe pavarësinë e tyre, të cilën edhe e kanë sponsorizuar.


Kur një organizmi të gjallë i hyn hileti në gjymtyrë, mjekësia natyrisht se parapëlqen amputimin, për t’i ruajtur organet vitale të atij trupi, në rast gangrene ta zëmë, pra për ta mbajtur në jetë. Pjesa veriore e Kosovës duhet pranuar se është një hilet në trupin e saj, deri në shkallën sa rrezikon funksionimin e shtetit pra, organet vitale të tij.
Amputimi në këtë rast ende nuk është i domosdoshëm, derisa ka shans për kurim, sepse mund të shkaktojë përhapje të virusit në trupat e tjerë (Maqedonia, Sanxhaku...)
Në këtë kontekst, ekspertët që merren me punët e shtetit duhet t’i studiojnë mirë dhe me fleksibilitet mundësitë e kurimit si doktorë të mirë, me gjithë medikamentet (politike, financiare, kulturore) të gjitha format më të avancuara në standardet evropiane të zgjidhjes joterritoriale të çështjes së veriut të Kosovës, pasi që duhet po ashtu ta pranojmë se është çështje. Besoj se edhe në Ballkanin Perëndimor zgjidhjet territoriale i përkasin së kaluarës fatale për njerëzit dhe shoqëritë përgjatë historisë dhe faktet janë kryeneçe, ato kanë ndodhur dhe se në historinë njerëzore nuk ka nëse, po që se... Po të bëhej kështu nuk do të ndodhte ashtu etj. Nëse mbështetemi tek teza kundër-eurocentriste e Gianni Vattimos, i cili fundin e metafizikës e sheh të ndërlidhur me fundin e kolonializmit dhe eurocentrizmit duke “zbuluar” se kuptimi i historisë së modernizmit nuk është progresi drejt një përkryerjeje finale të karakterizuar nga plotënia, nga transparenca gjithëpërfshirëse, nga prania përfundimisht e realizuar e qenies së njeriut dhe botës. çka do të thotë kjo për aktualitetin politik dhe historik të Kosovës në raport me rrethanat dhe koniunkturat globale dhe veçanërisht atyre evropiane? Shteti i Kosovës, liria dhe barazia e kosovarëve nuk do të jenë së këndejmi të përkryera dhe në plotëni, sepse asnjë shtet (lëre më shteti i ri) nuk e ka arritur përsosmërinë. Kosova nuk duhet të ndalet në këtë mësymje, por ajo duhet të heqë dorë nga zgjidhjet e plota, përfundimtare, të përkryera, utopike. Në këtë aspekt, sipas Vattimos, Perëndimi kupton se emancipimi dhe çlirimi, që njeriu i ka kërkuar gjithmonë, kalojnë përmes një zbehjeje të strukturave të forta, përmes një zvogëlimi të pretendimeve, të atyre pretendimeve që në situatën tonë ballkanike dhe në kontekstin e luftërave gjatë tërë shekullit XX ishin fatale për popujt pikërisht se ishin të mëdha, historike, që mësynin mundjen përfundimtare të tjetrit. Sipas këtij koncepti, Evropa po i kushton vëmendje të madhe fjalës së tjetrit. E kosovarët ku janë në këtë vëmendje? Mos janë duke e perceptuar fuqinë e tyre si motor të lëvizjes së historisë në të vetmin kah – drejt mësymjes së tyre? Giorgio Agamben duke bërë fjalë për evropianizmin si ide e çterritorializimit, me refugjatin që “vjen e rri”, pra që nuk riatdhesohet, por që përqafon një atdhe të ri, koncept që “rrënon” ligjet klasike të azilit dhe që shkon përtej të drejtave të njeriut, dhe duke marrë si shembull Izraelin dhe Palestinën, konkretisht çështjen e Jerusalemit kritikon idenë e  krijimit të dy shteteve me “marka” të forta kombëtare, të ndara nga kufij të paqartë dhe kanosës (me mure e tela gjemborë) duke justifikuar krijimin e dy bashkësive politike të mbështetura mbi të njëjtin rajon dhe në mërgim njëra ndaj tjetrës, të qepura me një varg ekstra-territorialitetesh të dyanshme. Në këtë kontekst Agamben vëren se Evropa do të mund të mendohej si një hapësirë mos-territoriale ose ekstra-territoriale, në të cilën të gjithë banuesit e shteteve evropiane të kishin një status të qytetarit në të qenit në mërgim, por jo të zhvendosshëm, sipas ligjeve “të egra” që kanë sot shumë vende evropiane për refugjatët. Shkurt e shqip, ideja e Agambenit konsiston në atë se hapësira evropiane nuk duhet të përkojë tutje  me asnjë territor kombëtar homogjen, por do të vepronte mbi ta duke i vrimëzuar territoret, duke i nxitur qytetet territoriale të sotshme të hyjnë në raporte ekstra-territorialiteti të ndërsjellë. Në këtë kontekst kam shkruar më parë se “vrimëzimi” territorial dhe eks-territorializimi i ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë, që në thelbin e vet “i krijon” Pakoja Ahtisaari, duke i paraprirë idesë së krijimit të “Strasbourgëve” të këtyre dy shteteve, në Preshevë dhe Mitrovicë. Kjo zgjidhje, do të ishte, nga këndvështrimi modernizues, racionale. Mirëpo në Ballkanin joracional, megjithatë, mund të ndodhin edhe të papritura, ndonëse jo konflikte të hapura dhe jo më me armë.
është e besueshme se Rezoluta serbe në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së do të revidohet, ose edhe do të tërhiqet fare dhe nga Asambleja do të lëshohet një deklaratë politike me konsensus, që thërret palët për bisedime për t’ia lehtësuar njëra-tjetrës agjendën e integrimeve në BE. Pra në Kosovë, në aspektin e pavarësisë së jashtme dhe integritetit territorial asgjë shqetësuese nuk do të ndodhë, pa çka se do të ndodhin zgjidhje kreative por kushtetuese edhe për serbët duke krijuar “vrima” të ndërsjella territoriale, pra eks-territorialitete.
“Vrimat” që dikush i cilëson si zgjidhje shqetësuese, unë i quaj zgjidhje (est)etike. Vetë ideja e Evropës e ka bazën në standardin e çterritorializimit, (Schengeni) e pse të frikësohen kosovarët?
Në këtë drejtim Pakoja e Ahtisaarit mund të pësojë “revidime estetike” (eks-territorialitete të ndërsjella) por ajo nuk do të hapet. Tek pas njohjes së dyanshme si shtete të pavarura, nëse nuk fiton ideja e “vrimave” territoriale, Prishtina dhe Beogradi mund të negociojnë edhe për zgjidhje territoriale (këmbim territoresh), që është zgjidhje humane, ndonëse Kosova rrezikon resurse ekonomike, kurse hileti rrezikon të përhapet.
Raporti i fundit i Grupit Ndërkombëtar të Krizave (GNK), “Kosova dhe Serbia pas GJND-së”, nuk ka bërë kurrfarë sakrilegji pos një raporti paravajtës, që mbështetur në kushtet (rrethanat) dhe koniunkturat aktuale ka parashikuar edhe rrjedhën e mundshme të ngjarjeve në raportet e Kosovës me Serbinë.
Fakti se Qeveria e Kosovës, përkatësisht kryeministri Hashim Thaçi e ka përmendur në një deklaratë intencën që të gjenden zgjidhje kreative për pjesën veriore të Republikës së Kosovës absolutisht nuk do të thotë se po dalin të sakta teoritë konspirative për negociata të fshehta mes Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë, sepse kryeministri në këtë rast ka ofruar zgjidhje kushtetuese duke mbrojtur me çdo kusht integritetin territorial dhe sovranitetin e shtetit, por jo edhe pretendimet e forta, absolute që përkojnë me fundin e botës!
Sipas këtij raporti, në shkëmbim të njohjes së plotë nga Serbia dhe marrëdhënieve bilaterale, përcjellë nga përkrahja e fuqishme e BE-së për integritetit territorial, Kosova mund të jetë e gatshme për të shkuar më tutje, duke i lejuar veriut që të zgjedhë legjislativin e vet rajonal me kompetenca për fusha specifike ligjore dhe me mundësinë e zgjedhjes së ekzekutivit rajonal. Ky pasus i raportit megjithatë mbulohet me qëndrimin e qartë se “vijat e kuqe të Qeverisë në Prishtinë janë integriteti territorial dhe statusi.”
çka ka këtu për shqetësim? “Zgjidhja kreative” për veriun e Kosovës konsiston me idenë e “strasbourgëve”, pra çon nga zgjidhja modernizuese.
Pikërisht kjo avokati e fuqishme që Perëndimi po i bën Kosovës e obligon edhe Prishtinën që fuqishëm t’i marrë parasysh dhe t’i mbrojë liritë dhe të drejtat e serbëve kosovarë me zemërgjerësi, urti dhe fleksibilitet dhe të ketë vëmendjen edhe për interesat e Serbisë.
është koha, ndoshta, që të dyja vendet të dalin nga lloçi, të thyejnë muret e (vetë)izolimit dhe refuzimit të tjetrit...