Sot në mbrëmje, në orën 20:45 kombëtarja e Shqipërisë do të zbresë në tapetin e gjelbër të Loro Boriçit për të sfiduar Turqinë, në ndeshjen e parë për eliminatoret e Europianit 2020.


Prej mëngjesit të ditës së sotme në media aludohej se tifozët shqiptarë do të ishin të pakët në Shkodër, por duket se siç është bërë traditë, kuqezinjtë janë dyndur masivisht drejt kryeqendrës së veriut dhe po presin në radhë për të marrë bileta.


Një numër i konsiderueshëm tifozësh janë parë pasdite në sportelin pranë stadiumit, teksa interesi për të siguruar një biletë duket në rritje.


Gjithashtu mësohet se dyndja e tifozëve për të ndjekur ndeshjen e sotme ka krijuar trafik të rënduar përgjatë superstradës Milot – Lezhë- Shkodër.


Radha e automjeteve raportohet te shkojë në mbi 1 km. Policia rrugore është e pranishme për të normalizuar lëvizjen e mjeteve ne te gjithë gjatësinë e këtij aksi.


Ndërkohë, mbështetësit e zjarrtë të Kombëtares, Plisat, kanë mbërritur në Shkodër dhe pikërisht pranë hotelit të kombëtares kanë nisur të ndezin atmosferën me këngët e tyre patriotike.


Por mësohet se policia ka ndërhyrë dhe u ka kërkuar që të largoheshin pasi lojtarët ishin në moment pushimi para ndeshjes.