Tiranë - Një nga fëmijët që pretendohet se është abuzuar me të në qendrën që administrohej nga anglezët rezulton i zhdukur. Fakti u bë i ditur dje gjatë seancës së radhës në procesin që po zhvillohet në Gjykatën e Tiranës ndaj Robin Arnoldit dhe Dino Kristodulus. Burime pranë kësaj gjykate pohuan dje se gjatë seancës së djeshme pritej të dëshmonte 11-vjeçari për abuzimet seksuale që kanë kryer ndaj tij, mirëpo fëmija duket se ka ditë që nuk dihet se ku ndodhet. Dino Kristodolu dhe Robin Arnold u akuzuan për të njëjtat vepra penale njësoj si David Braun. Ky i fundit u dënua pak kohë më parë nga Gjykata e Shkallës së Parë me 25 vite burg. Kristodulu dhe Arnold u arrestuan pak muaj më vonë në Londër dhe aktualisht janë ekstraduar në Shqipëri duke qenë pjesë e një procesi gjyqësor me të njëjtat akuza. Mësohet se prokuroria ka një provë shumë të fortë për Robin Arnold, Dino Kristodulu dhe Devid Braun. Bëhet fjalë për ekspertizat mjeko-ligjore në trupin e të miturve.



28 Janar 2009