Të tjera detaje dalin në lidhje me 21-vjeçarin Mateo Aga, i zhdukur më 29 nëntor 2018. Deri më tani ndaj të riut nuk ka asnjë gjurmë, ndërkohë që familja dyshon se bëhet fjalë për një rrëmbim të mundshëm. I riu jetonte prej kohësh në Tiranë por me rastin e festave të flamurit kishte shkuar në Maqellare për të takuar gjyshërit e tij. Dita e fundit që ai ka kontaktuar me familjarët ka qenë 29 nëntori dhe prej një jave familja nuk ka asnjë kontakt me të. Gjithashtu, Mateo kishte investuar rreth tre vite më parë në biznesin e shpërndarjes së sinjalit të kabllorit në zonën e Maqellarës.


Deri më tani për zhdukjen e të riut nuk ka asnjë informacion, ndonëse policia është vënë në kërkim të tij.


Mësohet se largimin e tij pa asnjë gjurmë e ka denoncuar para dy ditësh babai i tij, Pajtim Aga. Ai është shprehur se djali është larguar nga banesa e gjyshërve me datë 29 nëntor 2018.


Kam humbur çdo kontakt me djalin. Kam kontaktuar me njerëzit e afërm dhe nuk di ku ndodhet. Kam dyshime se e kanë rrëmbyer. Me 29 nëntor, ai ka qenë në shoqërinë e disa të rinjve, të cilët shprehen se e kanë parë në një lokal në Maqellarë. Mateo ka vajtur në shtëpinë e prindërve të mi, ka veshur një xhup tjetër, ka fikur dritat, ka mbyllur derën dhe ka lënë çelësat aty ku i linin zakonisht gjyshërit e tij, ka pohuar Pajtim Aga në Polici, duke hedhur dyshime se djalin mund ta kenë rrëmbyer keqbërës.


6 dhjetor 2018 (gazeta-Shqip.com)