Dyshojmë se Mateo është marrë peng ose është ekzekutuar nga mafia dhe se në pritë e ka nxjerrë një shoku i tij që ai i ka pas besuar, është deklarata e fortë që familjarët kanë  dhënë në polici. Gazeta “Shqip Online” ka mundur që të sigurojë të tjera detaje rreth zhdukjes së 21-vjeçarit.


Për herë të fundit Mateo Aga është parë në një lokal në Grezhdan të Dibrës me një shokun e tij. Ai ka qëndruar aty deri më 21: 30 minuta dhe prania e tij është konfirmuar nga kamerat e instaluara në objekt. Gjatë kësaj kohe ka folur me një shokun e tij nga Tirana nëpërmjet telefonit të shokut që ishte në tavolinë. Ky e ka  pyetur Mateon se kur do të rikthehet në kryeqytet dhe ai i është përgjigjur se pas dy ditësh do të takohen.


Pas orës 21:30, të datës 28 nëntor, i riu ka dalë nga lokali dhe iu ka thënë shokut se do të shkojë në banesën e tij dhe jo në atë të gjyshërve ku ai shkonte zakonisht. Kjo ka qenë hera e fundit që Mateo është parë nga banorët e zonës dhe pas kësaj është çdo gjë në terr. I riu nuk ka pasur telefon. Familjarët e denoncuan zhdukjen e tij në polici dhe kjo e fundit ka shkuar në banesën e Mateos në Grezhdan. Aty është gjetur xhupi, një palë pantallona dhe këpucët që i riu kishte veshur në lokal. Rrobat që kishte veshura janë fiksuar nga kamerat e sigurisë.


Mateo ka shkuar në banesë sepse aty janë gjetur rrobat e tij. Besojmë se një shok mund të ketë shkuar atë natë në banesë dhe e ka thirrur Mateon. Ai mund ta ketë nxjerrë në pritë. Dyshojmë se bëhet fjalë për ndonjë shok të afërm me Mateon, sepse ai ka mundur që të futet në banesë dhe ta nxjerrë djalin prej aty, janë shprehur të afërmit në polici.


Gazeta “Shqip Online” mëson se i riu kishte folur me të ëmën në telefon dy ditë më parë dhe se nuk i kishte shfaqur asnjë shqetësim. Madje kjo e fundit nuk ka kuptuar ndonjë shqetësim rreth djalit, sepse ai është sjellë si zakonisht.


Në pyetje nga policia janë marrë edhe shokët që Mateo kishte takuar mbrëmjen e 28 nëntorit. Ata kanë thënë se Mateo ishte i qetë dhe se nuk iu ka shprehur asnjë shqetësim.


Është larguar nga lokali për të shkuar në banesën që ndodhej 3 km larg lokalit. Ai shkonte shpesh në Grezhdan për të punuar me të vëllain, ku ky i fundit kishte biznesin e sinjalit të kabllorit.


Herë të tjera, Mateo shkonte për të kaluar natën tek gjyshërit, sepse ishte dimër, por mbrëmjen e zhdukjes ka vendosur që të shkojë në banesën e tij, që ndodhet pak larg nga ajo e gjyshërve. Nuk dihet se pse ai e ka bërë një veprim të tillë.


Në polici, familjarët kanë thënë se Mateo nuk është larguar ndonjëherë dhe se ai nuk ka probleme me shokët, që mund të çonin deri në zhdukjen e tij. Familjarët nuk i kanë ndalur kërkimet për asnjë moment. Ata i kërkojnë Prokurorisë që të vazhdojnë kërkimet, sepse bëhet fjalë për një ngjarje shumë të rëndë.


Dëshmia e banakierit:  Atë natë ishte disi i vrenjtur


Banakieri i lokalit, ku ka qenë Mateo, ka thënë se ai ka qëndruar mbrëmjen e 28 nëntorit rreth orës 21 e 40. Ai iku bashkë me një bashkëfshatarin e tij, që kishte rrugën me makinë afër shtëpisë.


Që prej këtij momenti banakieri nuk di asnjë rreth Mateos. Mateo ka qenë në tavolinë me një shokun e tij. I ka  marrë dikujt telefonin dhe ka chatuar me një shokun e tij nga Tirana.


Gjatë gjithë kohës ata kanë luajtur letra me njëri-tjetrin dhe më pas janë larguar së bashku. Mateo tha se do largohej për në shtëpi dhe bashkëfshatari i tha që do të vinte edhe ai, – tha banakieri.


Ky i fundit dëshmon se atë natë, Mateo është shfaqur i mërzitur, paksa si i vrenjtur. Ai nuk ka pirë kafe në lokal, por ka qëndruar aty rreth një orë ku dhe kanë luajtur me letra dhe ngroheshin pranë sobës.


Silvana Muça


6 dhjetor 2018 (gazeta-Shqip.com)