Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan takoi Sekretarin Amerikan të Shtetit, Mike Pompeo. Takimi, i cili zgjati 35 minuta, u zhvillua në aeroportin Esenboga të Ankarasë, pak para se presidenti Erdogan të niset për vizitë zyrtare në Moldavi.


Gjatë qëndrimit të tij në Turqi, Pompeo pritet të zhvillojë takim edhe me homologun turk Çavusoglu.


Pompeo përsëriti shqetësimet e SHBA-ve në lidhje me zhdukjen e gazetarit saudit dhe vuri në dukje rëndësinë e procesit të hetimit.


“Do të vazhdojmë kontaktin e afërm me zyrtarët turq dhe sauditë, deri sa të kryhet hetimi dhe të njoftojnë rreth gjetjeve”, tha Pompeo, duke treguar se presidenti amerikan Donald Trump ka kërkuar nga ai që të vizitojë Turqinë.


Vizita e Sekretarit amerikan të Shtetit vjen pasi ai dje vizitoi Arabinë Saudite në lidhje me zhdukjen e gazetarit të “Washington Post”, Khashoggi. Ai u takua me mbretin saudit Selman bin Abdulaziz, Princin e Kurorës Muhammed bin Selman dhe ministrin e Jashtëm Adel al-Jubeir.


Gazetari i The Washington Post, Jamal Khashoggi u zhduk më 2 tetor pasi hyri në kompleksin e Konsullatës së Arabisë Saudite në Stamboll.


17 tetor 2018 (gazeta-Shqip.com)