Zhvillimi ekonomik i Tiranës është tema e rradhës që do të diskutohet ditën e enjte në mbledhjen e grupit strategjik për hartimin e planit rregullues të qytetit.

Anetari i këtij grupi, ekspert në ekonomi, Ardian Civici ka shpjeguar për “ABC News” konceptin e ri të zhvillimit ekonomik të kryeqytetit, me fokus kryesor, punësimin dhe zhvillimin.

Në më pak se 100 vitet e fundit qyteti i Tiranës është më shumë se 15 fishuar nga pikpamja e sipërfaqes.

Grupi strategjik i punës për hartmin e Planit Rregullues të qytetit do të diskutojë mbi mënyrat e funksionimit të Tiranës si qytet ekonomik, si një e terë nga pikpamja e të ardhurave dhe shpenzimeve në mënyrë që të mos prodhojë vetëm infrastrukturë dhe shërbime, por mbi të gjitha të prodhojë punësim dhe zhvillim.

Tirana e marrë në funksion qarku prodhon më shumë se gjysmën e Prodhimit të Brendshëm Bruto, po të kemi parasysh se pjesa dërrmuese e bizneseve dhe investimeve janë bërë përgjatë autostradës Tiranë-Durrës dhe në Kavajë.

Për vite sektori bazë i qytetit ka qenë ndërtimi, por 3 vitet e fundit pësoi rënie të ndjeshme.

Sidoqoftë Tirana është para sfidave të mëdha përsa i takon pozicionimit ekonomik të këtij rajoni në ekonominë e vendit si dhe pozicionimit të rolit të vetë qytetit në këtë kontekst.

Para Tiranës shtrohen disa dilema dhe çështje për diskutim mbi formatin apo ristrukturimin e formatit ekonomik të rajonit dhe vetë qytetit te cilat do të zhvillohen në mbledhjen që grupi i ekspertëve për zhvillimin ekonomik të Tiranës do të paraqesë para kryetarit të bashkisë, Lulzim Basha dhe ekspertëve të tjerë të hartimit të Planit Rregullues të qytetit.