Në kalanë e Vushtrrisë sot organizohen aktivitete argëtuese dhe edukative me nxënësit me nevoja të veçanta nga shkolla "Nënë Tereza" në Mitrovicë, organizuar nga Këshilli Rinor i Ambasadës së SHBA-ve në Kosovë dhe mbështetur nga programi i NDI, "Zhvillimi i udhëheqjes ndër-etnike të të rinjve në Kosovën Veriore".

Si shumë shkolla të tjera në Kosovë, shkolla "Nënë Tereza" ka mungesë të infrastrukturës së duhur, kapaciteteve të stafit, si dhe aktiviteteve shtesë jashtë kurrikulës për nxënësit me nevoja të veçanta.

Këshilli Rinor ka vendosur të kalojë një ditë me këta studentë në kalanë e Vushtrrisë duke organizuar aktivitete të ndryshme argëtuese dhe edukative.

Në fund të ditës, veprat artistike të kryera gjatë ditës nga studentët do të paraqiten në ekspozitën një javore në kalanë e Vushtrrisë.

Pas ekspozitës, fotot e pikturave do të postohen në faqen zyrtare të Këshillit Rinor në Facebook, dhe personat të cilët janë të interesuar të blejnë pikturat mund t'i gjejnë në ambientet e këndit amerikan në Prishtinë. Të gjitha të ardhurat e mbledhura do t'i dërgohen shkollës "Nënë Tereza" në Mitrovicë.