TIRANË- Në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes u zhvillua sot ceremonia e diplomimit të kursantëve që përfunduan Kursin e Lartë të Oficerit dhe Kursin e Komandës dhe Shtabit të Përgjithshëm për vitin akademik 2012-2013 në Akademinë e Forcave të Armatosura. 

Në këtë ceremoni morën pjesë drejtues të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes, Shtabit të Përgjithshëm i FA-së, përfaqësues të CUBIC-ut, ,etj. 

Në fjalën e tij të përshëndetjes drejtuar oficerëve që përfunduan Kursin e Lartë të Oficerit dhe Kursin e Komandës dhe Shtabit të Përgjithshëm, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi ka theksuar se, kjo ceremoni përbën një ditë të veçantë në jetën e karrierën tuaj të mëtejshme, por ajo përbën në të njëjtën kohë edhe një ngjarje të shënuar për familjet tuaja, për Akademinë e Forcave të Armatosura, Komandën e Doktrinës e Stërvitjes dhe për të gjitha strukturat e Forcave të Armatosura dhe Ministrinë e Mbrojtjes. 

Duke evidencuar rolin dhe punën e Akademisë së Forcave të Armatosura, si institucioni i arsimit të lartë ushtarak, gjeneralmajor Gunkshi nënvizoi se "konstatoj me kënaqësi që në vitin akademik që sapo po mbyllet, Akademia e Forcave të Armatosura ka bërë një punë të lavdërueshme, duke sjellë një shndërrim të madh e të prekshëm në cilësi, standarde, disiplinën shkencore dhe në performancën e saj." 

Këtë vit, ka vijuar më tej shefi i Shtabit të Përgjithshëm, për herë të parë u realizuan në Akademi dy stërvitje të asistuara me kompjuter në Qëndrën e Simulimit në bashkëpunim me kompaninë “CUBIC”, përfaqësuesit e të cilës gjej rastin t’i falënderoj për ndihmën e shkëlqyer, si dhe stërvitja dyshkallëshe komando-shtabi e zhvilluar me ju akademistë të KLO dhe KKSHP, të cilat ndikuan në përmirësimin e standardeve të stërvitje dhe unifikimin e procedurave të zhvillimit të saj jo vetëm në programet e akademisë, por edhe në të gjitha strukturat e FA.
Në përfundim të ceremonisë, zv/ministrat e Mbrojtjes, Ekrem Spahiu, Arta Musaraj dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA, gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi shpërndanë diplomat për disa nga kursantët që përfunduan studimet në kurset e lartpërmendura. 
(e.m/ata/BalkanWeb)