Sami Krasniqi rivarrosi 18 anëtarë të familjes, të vrarë e të djegur në vitin 1999 nga forcat serbe. Përveç të rivarrosurve, janë edhe katër anëtarë tjerë të kësaj familjeje që figurojnë të pagjetur. Të enjten pati vaj e lot në Carrallukë të Malishevës.


Nga Lirita Halili më 15 prill 2011 në ora 08:45

Dhembja sërish është rikthyer në fshatin Carrallukë të Malishevës. Pothuajse të gjithë banorët ishin mbledhur para varrezave të fshatit. Ata rivarrosën 18 trupa të shqiptarëve të vrarë në kohën e luftës, të cilët në vitin 1999 ishin nxjerrë nga varret për t’u dërguar në mjekësinë ligjore për obduksion. Pas kaq vitesh, ata më në fund u identifikuan.



Sami Krasniqit të enjten iu rihapën plagët, të cilat ai ishte munduar t’i mbyllë për 12 vjet. Në ditën e varrimit të 18 anëtarëve të familjes, Samiu kujton me lot kur të gjithë të afërmit e tij ishin vrarë e djegur në shtëpi nga forcat serbe.



Në kohën kur e humbi pothuajse gjithë familjen e tij të ngushtë, Samiu nuk ndodhej pranë tyre, sepse ishte jashtë vendit. Por, pavarësisht kësaj, ai e di në detaje formën e vrasjes së të afërmve. “Edhe pse nuk isha këtu, ka pas njerëz që menjëherë pas luftës më kanë rrëfyer se si kanë humbur jetën më të dashurit e mi”, tregon Samiu për Express.



Ai të enjten rivarrosi 16 familjarët e tij të ngushtë dhe dy të tjerë nga i njëjti farefis, por që kanë qëlluar brenda kur është djegur shtëpia. “Familjarët e mi gjatë luftës kanë qenë në bjeshkë duke u munduar të ikin prej luftës. Por, në mbrëmje kanë vërejtur që gjendja është pak më e qetë dhe kanë vendosur të kthehen në shtëpi”, thotë Samiu, teksa vazhdonte rrëfimin e tij i përlotur. “Sikur të mos ishin kthyer, ndoshta sot do të ishin gjallë. Ndoshta sot nuk do të isha këtu duke i varros”, thotë ai.



“Krejt këta trupa kanë qenë të djegur brenda në shtëpi. Gra, fëmijë e burra, komplet familja ime. Tash kam mbetur vetëm me gruan e fëmijët dhe tri motrat e martuara”, thotë Samiu me trishtim.



Pas kësaj tragjedie familjare, ai kishte vendosur që së bashku me gruan e tij dhe fëmijët të kthehet në fshatin e tij të lindjes, në Carrallugë, për ta vazhduar jetën e lënë në gjysmë nga familjarët e tij. Por, në pamundësi për jetuar në vendin ku i sillte kujtime të hidhura, Samiu ishte detyruar të shpërngulet në Suharekë, aty ku jeton edhe sot.



“Provova me jetu këtu, por ishte e kotë. Kur e shihja shtëpinë ku janë djegur anëtarët e mi, nuk më duronte zemra, prandaj vendosa të largohem nga këtu”, thotë i bindur ai.

Madje gjatë kohës së shkurtër, të cilën e ka kaluar në fshat, Samiu ka vendosur t’i zhdukë të gjitha gjurmët që i kujtojnë atij tmerrin që anëtarët e tij e kishin përjetuar. “Kur e shikoja shtëpinë ku janë djegur familjarët e mi, kisha kujtime të këqija. Prandaj vendosa ta rrënoj e ta lë atë vend pa gjurmë”, sqaron Samiu.



E përveç Samiut, që të enjten po përjetonte dhimbje tek po i varroste të afërmit, të njëjtën gjë po e ndjente edhe Dritan Krasniqi, i cili po ashtu ndodhej te varrezat e fshatit. Ai po priste t’i rivarroste dy anëtarë te tij të familjes, të cilët kishin humbur jetën në të njëjtën ditë me familjarët e Samiut. “Unë po e varros vëllaun tim Lavdimin që ditën kur u dogj bashkë me familjarët e Samiut, ishte vetëm 12 vjeç, edhe djalin e axhës Afrimin”, tregon Dritani për Express.



Përkundër Samiut, i cili padyshim që e kishte të vështirë rivarrosjen e familjarëve të tij, Dritani ishte ai që prillin e vitit 1999 e kujtonte më shumë. Kjo sepse ishte pikërisht ai, i cili kishte bërë largimin e eshtrave të personave të djegur në shtëpinë e familjes Krasniqi. “Unë bashkë me axhën me duart tona e kemi bërë largimin e trupave nga shtëpia, mes të cilëve ndodhej edhe vëllai im disa ditë pas djegies”, rrëfen Dritani, teksa nuk ua ndante sytë arkivoleve të rreshtuar.



“I kemi varros këtu tek varrezat vetëm që ta dimë se ku ndodhen eshtrat e tyre. Pastaj kur ka përfunduar lufta, i ka marrë Kryqi i Kuq dhe i ka dërguar për ta bërë autopsinë”, kujton Dritani.



Sidoqoftë, Samiu dhe Dritani janë informuar nga mjekësia ligjore se eshtrat ishin të familjarëve të tyre, qysh para tri vitesh. Por, ata thonë se deri më tash kanë pritur se mos ndoshta mjekët do t’i gjejnë edhe katër pjesëtarë të tjerë që akoma figurojnë si të pagjetur.



“Kemi dëgjuar se edhe katër anëtarë tjerë kanë qenë atë ditë në shtëpi, por ata nuk janë gjetur akoma”, pohon Sami Krasniqi, i cili shpreson që do të gjenden edhe këta familjarë sikurse anëtarët e tjerë, të cilët i varrosi të enjten. “Vetëm për një gjë jam i lumtur. Që këtyre 16 anëtarëve ua di bile varret ku i kanë, e ku pushojnë të qetë”, tha Samiu i përlotur.



Në Kosovë numërohen rreth 1 mijë e 800 persona si të zhdukur nga lufta e fundit në vend.




Emrat e të rivarrosurve:

Nexhmi Krasniqi - 45 vjeç

Shehide Krasniqi - 42 vjeç

Bali Krasniqi - 41 vjeç

Remzie Krasniqi - 39 vjeç

Hysni Krasniqi - 33 vjeç

Avni Krasniqi - 28 vjeç

Afrim Krasniqi - 23 vjeç

Jeton Krasniqi - 17 vjeç

Veton Krasniqi - 15 vjeç

Liridon Krasniqi - 14 vjeç

Lavdim Krasniqi - 12 vjeç

Jehona Krasniqi - 10 vjeç

Blerta Krasniqi - 10 vjeç

Arta Krasniqi - 9 vjeç

Rrezarta Krasniqi - 6 vjeç

Shkurte Krasniqi - 5 vjeç

Drenusha Krasniqi

Fitim Krasniqi




Të pagjeturit:

Milazim Krasniqi - 60 vjeç

Elmi Krasniqi- 43 vjeç

Fetie Krasniqi - 64 vjeç

Violeta Krasniqi- 22 vjeç