Shtetasi i huaj përfundon në spital. Agresori procedohet me akuzën e dëmtime të tjera me dashje


Një shofer gjerman, i cili mesa duket nuk e njihte temperamentin e shqiptarëve, ka përfunduar në spital pas dhunës që ka pësuar nga një shofer. Shkaku? I kishte zënë rrugën dhe po ecte avash. Ngjarja ka ndodhur dy net më parë në afërsi të Shkollës së Bashkuar në Tiranë, ndërkohë që policia ka proceduar penalisht në gjendje të lirë shqiptarin agresor.


Sipas të dhënave, fillimisht, në spitalin Nënë Tereza ka shkuar gjermani 52-vjeçar, Karl Oles, i dëmtuar në kokë.


Ai ka shpjeguar për mjekët se ishte dëmtuar gjatë një konflikti me një drejtues mjeti, të paidentifikuar.Më pas, ai është marrë në pyetje nga policia, agjentët e të cilës kanë arritur të gjejnë edhe protagonistin tjetër. Nga informacionet e mbledhura, policia shprehet që mjeti i gjermanit ndodhej para mjetit të shqiptarit. Ky i fundit i ka rënë borisë për të hapur rrugën, por gjermani mendohet se ka reaguar ashpër.


Në ato momente, të dy kanë ndaluar makinat dhe kanë dalë jashtë duke debatuar me zë të lartë, njëri gjermanisht e tjetri shqip. Gjatë debatit, shoferi shqiptar e ka shtyrë gjermanin, duke e përplasur në një cep, ku ka dëmtuar lehtë kokën. Në këto kushte, për shoferin shqiptar kanë nisur hetimet në gjendje të lirë për veprën penale dëmtime të tjera me dashje.


30 maj 2012 (gazeta-Shqip.com)


 


Zihen për boritë e makinave, shoferi shqiptar rreh gjermanin burimi: Gazeta Shqip