Shkrimtari Zija Çela i ftuar në kuadër të takimeve shkrimtari në shkollën time në gjimnazin Qemal Stafa në Tiranë ka folur për të shkruarit nën diktaturë duke kujtuar rastin e romanit Mali i tejdukshëm. Ka qenë një vepër që është kritikuar për një realizëm të ashpër, çka më bëri të kaloja një kohë jo të qetë, ka thënë shkrimtari.


Më tej ai ka kujtuar një tjetër roman që i ka kushtuar jo pak telashe. Është fjala për romanin Një verë pa lamtumirë ku iu bë një gjyq në qytetin e Kukësit ku në atë kohë jetonte duke punuar si mësues i letërsisë. Romani është botuar në vitin 1979, dhe është akuzuar për një fshehje të realitetit. Nga të gjithë personat që e kritikuan ai nuk harron Skëndër Vaqarrin, për mënyrën sesi e akuzoi për këtë libër. Nuk ka qenë e lehtë të bëje letërsi nën realizmin socialist, por unë jam përpjekur të vazhdoj ëndrrën time, u tha ai nxënësve.


Shkrimtari ka folur dhe për mënyrën e shkrimit, duke treguar se gjithnjë kishte shkruar i mbështetur në divan apo shtrat. Cela tregoi më pas udhëtimin e jetës së tij drejt artit të të shkruarit. Ai e nisi nga fëmijëria e vështirë në familjen e madhe prej shtatë fëmijësh në qytetin e Shkodrës, studimet në Tiranë për letërsi, vitet e kaluara si mësues e më pas gazetar në Kukës, kohët në krye të gazetës letrare Drita, për tu ndalur dhe në aspekte personale që e bën tërheqëse bisedën.


Çela tregoi përvojën e botimeve duke nisur nga libri i tij i parë Yje mbi lumë, për tu ndalur tek libra të tjerë si Jeta në shtëpinë tonë, Një verë pa lamtumirë, Gjaku i dallëndyshes, Gjysma e Xhakondës, Princi i buzëqeshjes e deri për botimin e fundit Ora e Zooparkut me të cilin u vlerësua dhe me çmimin Raxhai Surroi në Kosovë. Një nga librat e autorit që ngjalli më shumë kureshtje dhe mori vëmendjen e nxënësve ishte Për dashurinë shkruhet pas vdekjes të cilin ai ia kushton djalit të tij të ndjerë përkthyesit Dritan Çela.


Shkrimtari tregoi se nuk kishte mundur ti thoshte asnjë fjalë dashurie kur ai ishte gjallë, duke e jetuar raportin baba bir ashtu si vinte, dhe vetëm pas humbjes e kishte kuptuar se koha për të shkruar dashurinë është pasi e humb atë. Ky takim shërbeu jo vetëm për të risjellë në vëmendje një figurë të njohur të letërsisë por dhe për ti drejtuar të rinjtë drejt njohjes më së miri të letërsisë dhe autorëve shqiptarë.


13 prill 2018 (gazeta-Shqip.com)